Qeveria e Kosovës është deklaruar lidhur me çështje e pagave për muajin shtator për shërbyesit civil të cilët ishin pjesë e grevës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Tëvë 1, se për muajin shtator, pagesat për sektorin publik janë ekzekutuar për ata që kanë dalë në vendin e punës.
Ai tha se në rastin e greva çështja e pagës përcaktohet me ligj.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë Kryeziu.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të ekzekutojë pagat. Ai për teve1.info tha se nëse nuk ndodhë një gjë e tillë deri të enjten do të ketë përkeqësim të situatës.
“Uroj që Qeveria t’i procedojë pagat sot ose nesër apo deri më 5 tetor kur është afati i fundit ligjor. Në të kundërtën do të ishte një shkelje e ligjeve, do të ishte sinjal i keq qe do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën”, ka thënë ai për teve1.info.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do dorëzojë kallëzim penal ndaj ministrit Murati nëse nuk dalin pagat.