Një fitore historike për Ballkanin. E para në fazën e grupeve të turneve madhorë të UEFA-s. Një sukses i jashtëzakonshëm, që ka mbushur edhe arkat e kampionëve të Kosovës. Vetëm prej suksesit në Turqi me Sivasspor, skuadra e ndërtuar nga Nderim Nexhipi dhe e drejtuar nga Ilir Daja siguroi 500 mijë euro në formë shpërblimi për rezultatet.
Më parë, me barazimin ndaj CFR Cluj, Ballkani kishte përfituar edhe 166 mijë euro për pikën e marrë. Sipas sistemit të shpërndarjes së çmimeve monetare nga UEFA, përpos 666 mijë eurove për rezultatet në fushë, me pjesëmarrjen në grupet e Conference League, klubi nga Suhareka përfitoi 2 milionë e 940 mijë euro. Me llogari të thjeshta, në gjysmë të aventurës, me 4 pikë të fituara në tre ndeshje, deri më tani Ballkani ka përfituar diçka më tepër se 3,6 milionë euro.
Ndërkohë, shifra mund të rritet edhe më tej. Me 9 pikët që janë ende në lojë në fazën e grupeve, por edhe në bazë të pozicionimit. Sipas UEFA-s, fituesit e grupeve në Conference League shpërblehen me 650 mijë euro, teksa ekipet e vendeve të dyta me 325 mijë euro.
Ballkani është ende në lojë, për të tjera rezultate historike, për të ëndërruar të kalojë fazën e grupeve, por mbi të gjitha për të siguruar të ardhura që do të jenë garancia se projekti i nisur do të vijojë gjatë. Synimi është të dominojnë në Kosovë dhe të shkëlqejnë në Europë.