Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur deputetin e PDK-së, Abelard Tahirin, “deputetin më shurdhues” në kuvend.
Përderisa ministrja Albulena Haxhiu debatonte me deputetin Tahiri gjatë shqyrtimit të parë për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,, ndërhyri edhe Kurti, duke thënë se PDK e ka mendjen tek punësimi i militantëve.
“Në këtë kuvend, në korrik të vitit 2013, janë amnistuar kriminelët në veri me mbi 80 vota, e ju keni qenë në atë natë, andaj s’keni kurrëfarë legjitimiteti që ta merrni fjalën e të flisni gjepura këtu. Mjaft më, mjaft më deputeti më shurdhues. Mjaft. Turp duhet me të ardhë”, tha Kurti, ndërkohë që Tahiri nga ulësja e tij i thoshte “ulu, ulu”.
Në replikë, Tahiri i tha Kurtit se është “marre e madhe” që 31 dhjetori i vitit 2000 është caktuar si një periudhë “ku deri në atë periudhë qenkan kryer krime”.
Kurti sërish mori fjalën, duke e quajtur prapë Tahirin ”deputetin më shurdhues”.
“Një ish-ministër i Drejtësisë që e gjithë Kosova e njeh si deputetin më shurdhues, do të duhej të pushonte të fliste më për krimet e kryera gjatë luftës, për të cilat jo që s’ka bërë asgjë, por ka qenë kundërproduktiv”, tha Kurti, transmeton klankosova.