Ikona e lajmeve qendrore, një herë në Radio Televizionin e Prishtinës e më pas në Radio Televizionin e Kosovës, Besa Çejku Buçinca është pensionuar nga profesioni i saj shumëvjeçar.
Ajo, një ditë pas pensionimit, ka qenë mysafire në emisionin “Frontal”, ku mes tjerash ka treguar edhe një histori interesante, kur në kohën e masave represive dhe të dhunshme, bashkë me kolegët e saj në televizion përpiqeshin që të përçonin të vërtetën.
E siç ka thënë ajo, puna duhej të bëhej nën “milicin” serb të armatosur që ishte vënë aty për t’i frikësuar prezantuesit dhe gazetarët e televizionit.
“Më kujtohet një rast, kam thënë edhe herave të tjera, nuk e di se cili prej redaktorëve, por që të dy kanë qenë, herë njëri e herë tjetri, Ali Alaj dhe Muhamed Mjeku. Dhe kur në këtë kohë vazhdonte kontrolli dhe censura, ne filluam të rebelohemi… secilën herë kontrolloheshin tekstet e lajmeve nga nivelet më të larta, kryeredaktori e teposhtë. Ne bënim një variant që u pëlqente atyre dhe pastaj e ndryshonim, sidomos kur kishte ndonjë lajm që kishte të bënte me minatorët, ne fusnim nëpër xhepa lajmet dhe kur vinte aty radha e dinim se kur duhet ta nxjerrim, ndërkohë që në studio më qëndronte një milic i armatosur, derisa lexonim lajmet. Pastaj diskutohej se a shikoje lajmet, pse s’i shikove…”, ka thënë ajo në “Frontal”.