Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas mbledhjes së Këshillit të Evropës ku kërkoi rishikimin e raportit të Dick Marty-t u shpreh se e vërteta është e zbardhur, pasi nuk ka asnjë fakt dhe provë se gjatë luftës së Kosovës ka ndodhur trafikim organesh.
Kryeministri shqiptar miratimin e Rezolutës së Dick Martyt e konsideroi si një gabim tragjik nga ana e KiE-s.
“E vërteta është e zbardhur nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë, asnjë një indice dhe asnjë gjë përveç kanaleve të fantazisë së gjeneralit të gjallë të ushtrisë së vdekur që të tregoi se ka pasur trafik organesh, kështu që kjo nuk ka lidhje me procesin në tërësinë e procesit atje, ai proces ka historinë e vetë, por kjo historia e organeve të trafikuar nga shqiptarët shkon shumë përtej Hashim Thaçit, përtej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo prek gjithë kombin shqiptar edhe kjo aq shumë është përsëritur, është shpërndarë, kaq kohë ka që rrotullohet saqë ndikon edhe psikikën të atyre që na shohin nga pozita e nacionaliteteve tjera dhe thonë se këta janë ata që s’lanë gjë pa bërë aq sa marrin edhe veshkën edhe ikin me vrap”, tha ai.
Lidhur me debatin që ngjalli tek anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës pas fjalimit të kryeministri Rama, ai tha se diskutimi tregon se mesazhi shkoi në thellësi.
“Fakti që pati kaq debat tregon që mesazhi shkoi në thellësi. Natyrisht mirëkuptoj gjithë reagimin sepse është normale që të ndihen të shokuar dhe është po kaq normale që si fillim të më fajësojnë mua pse shokohen dhe jo arsyen që më solli mua këtu dhe historinë që është vërtetë shokuese. Jam i bindur që kur të hyjmë më thellë do ta shikojnë që gjëja është më e rëndë sesa që thash unë… Është normale sepse është si një bombë në mes të mexhlisit ku është gatuar gjithë ajo çorbë unë sigurisht nuk akuzoj askënd për asnjë qëllim të keq, por përsëri them se është gatuar një çorbë e shpifur në përpjekjen për të gatuar një ushqim të mrekullueshëm“, theksoi ai.
I pyetur nëse do të bënte të njëjtë gjë do të bënin të njëjtën gjë nëse në bankën e të akuzuarve nuk do të ishte miku juaj Hashim Thaçi, por një luftëtar tjetër i Kosovës, sikurse Ramush Haradinaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama refuzoi të përgjigjet në këtë pyetje të cilën e quajti fyese për të.
“Unë kësaj pyetje nuk i përgjigjem. Është fyese për mua kjo pyetje”, theksoi Rama.
I pyetur nëse debati për këtë rezolutë mund të prish raportet në mes Shqipërisë dhe Serbisë, Rama tha se debati në Serbi rreth kësaj rezolute nuk e shqetëson.
“Nuk nisen nga këto kur është fjala për të thënë të vërtetën dhe kur është fjala për të mbajtur qëndrimet që sipas meje janë ato që kanë detyrë të mbaj që do të ketë debat në Serbi patjetër që do të ketë debat nuk ka asnjë problem, u bë një kohë e gjatë në fakt që debate për mua është në Kosovë si shërbëtor i Serbisë tani që do të ketë debat në Serbi si unë nxitës i irredentizmit kosovar le të ketë se kështu është më mirë besoj. Përtej shakas nuk kam asnjë shqetësim unë besoj që gjërat duhet thënë që e vërteta dhëmbë por shëron sa do e hidhur që të jetë“, tha Rama.
Kryeminisrti i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, kërkoi rishikim e rezolutës 1782 të viti 2011 ose atë që njihet ndryshe si “raporti i Dick Martyt”. Ai këtë raport e quajti si lajm të rremë dhe një fantazi të pastër e të mirëfabrikuar në Kremlin dhe të trafikuar e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare e cila u votua në Këshillin e Evropës.