Jo rrallëherë ka pasur raste kur qytetarët kanë paguar shuma të majme parash për të blerë gjësende me vlerë nga persona që kanë rezultuar të jenë mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një 49-vjeçar nga Gjilani, i cili ka paguar mijëra euro për një veturë të cilën nuk e mori kurrë. Denoncimi i tij ka aktivizuar Policinë, me ç’rast është arrestuar i dyshuari.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se palët ishin marrë vesh që i dyshuari t’ia shes viktimës një veturë për 6 mijë euro, para këto të cilat ai i mori, por nuk ia dërgoi automjetin.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur në muajin prill të këtij viti, por i dyshuari nuk është kapur deri në ditën e djeshme, ndonëse ishte shpallur person në kërkim. Sinjali mëson se bëhet fjalë për A.B., nga qyteti i Mitrovicës, i cili posa i kishte marrë të hollat përmes bankës, nuk është bërë më i gjallë.
Me të parë se premtimi po mbetet bosh dhe nuk po realizohet, viktima ishte detyruar të kërkojë ndihmën e Policisë, ku para hetuesve ka dhënë detaje lidhur me atë se çfarë ka ndodhur.
Pas arrestimit të të dyshuarit, i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Mashtrimi”.