Në një intervistë për T7, Wolfgang Ischinger, ish-ambasador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur rreth procesit tashmë të stërzgjatur të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ischinger e quajti “turp” faktin që BE-ja ende nuk ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës.
Ish-ambasador i Gjermanisë në SHBA po ashtu pohoi se liberalizimi duhet të ndodhë tani sepse ky është një premtim që iu kemi bërë miqve tanë kosovarë kohë më parë.
Tutje, ish-diplomati gjerman tha se kosovarët, njësoj si të gjithë të tjerët, meritojnë lirinë e udhëtimit dhe se shpreson që kjo do të mundësohet shumë shpejt.
“Një gjë që është jashtëzakonisht jo e mirë është mungesa e implementimit të liberalizimit të vizave për kosovarët nga BE-ja. Kjo sinqerisht është një turp. Ne kemi premtuar këtë gjë për miqtë tanë në Kosovë kohë më parë. Dhe ne s’jemi ende të aftë të implementojmë atë plotësisht. Unë e kuptoj, ka disa çështje të pazgjidhura tek ana kosovare, disa çështje ligjore, të cilat shpresoj të zgjidhen në mënyrë që liria e udhëtimit për kosovarët njësoj si për të gjithë të tjerët mund të implementohen plotësisht. Kjo është ajo që në të vërtetë iu dëtyrohemi miqve kosovarë dhe duhet të ndodhë tani, jo vitin tjetër, duhet të ndodhë tani në përshtypjen time.” – tha Ischinger.