Figura e dytë madhore në traditën e atdhetarisë social-demokrate shqiptare, pas Sami Frashërit që ishte themeluesi, është Fan Stilian Noli, i cili ka vdekur 53 vjet më parë, në ShBA.
Njeri i kulturës, i shkencës, i artit, i politikës e i fesë, Noli ishte një polimath i vërtetë, edhe këtu në vijim të traditës së rilindasit erudit, Samiut.
Prej fillimit të shekullit XX e deri sa vdiq Noli ia kushtoi jetën synimit të tij madhor, kapërcimit të feudalizmit në politikën shqiptare, dhe avancimit drejt një Republike Demokratike të bazuar mbi punën e mirëqenien, sipas modelit të demokracive republikane të themeluara në Evropë pas rrëzimit të feudalizmit në shek. XIX.
Në ShBA, i gjendur përballë mohimit të Kishës Ortodokse Greke për të varrosur një patriot ortodoks shqiptar, ai themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare në ShBA, dhe vazhdoi aktivizmin deri sa ia bëri një dhuratë madhështore historisë së shqiptarëve, pra deri sa u themelua Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Si klerik ai u shqua nga vlerat e bashkëpunimit dhe miqësisë mes feve – e dy nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ishin Bajram Curri me prejardhje myslimane e Luigj Gurakuqi me prejardhje katolike.
Përveç kontributit të tij të palodhur kombëtar e fetar, Fan S. Noli do të mbahet mend si studiues i figurave historike, letrare e artistike, Skënderbeut, Platonit, Anaksagorës, Beethoven-it, Schubert-it, Toscanini-t, Strauss-it, Shakespeare-it, Tolstoj-it, etj. Vetë poet e shkrimtar i shkëlqyer, Noli krijoi traditën e përkthimit në shqip, me shqipërimin e Shakespeare-it, Cervantes-it, Ibsen-it, Khayam-it, Goethe-s, Heine-s, Eskilit, Verlaine-s, Baudelaire-it, Poe-së, etj.
Rrugëtimin e vet ai e përshkroi tek poezia politike “Marathonomaku”, nga e cila shkëpusim vargjet frymëzuese për betejën e popullit kundër pushtetit abuziv, betejën për drejtësi, mirëqenie e demokraci:
“Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin!”