Në kuadër të javës së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll, të enjten pasdite, do të luhen dy ndeshje interesante, ku pritet ballafaqimi edhe i dy skuadrave gjilanase, SC Gjilani – FC Drita, derisa ndeshja tjetër zhvillohet mes Ballkanit e Llapit.
Kur jemi te derbi lokal i dy skuadrave gjilanase, ky superduel, do të zhvillohet të enjten prej orës 13:00, e gjyqtari kryesor i ndeshjes është Mervan Bejtullahu, asistohet nga Fatlum Jashari e Hekuran Osmani si ndihmës të tij anësorë.
Gjyqtari i katërt, Isak Ceroviku deri sa në VAR është Burim Jahmurati, AVAR Fatlum Berisha, vëzhgues i gjyqtarëve ilir Shuleta e delegat Agim Hasani.
Pra, mund të thuhet me të drejtë se vëmendja kryesore do të jetë në Gjilan ku kemi derbin më të madh të futbollit kosovar që di të jetë i zjarrtë, ai mes Gjilanit dhe Dritës, e që zhvillohet në stadiumin ndihmës (me bari sintetik).
Ndërkohë që, nikoqiri i këtij takimi, SC Gjilani, përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se për shkak të kushteve jo të favorshme dhe mungesës së tribunave, takimi do të zhvillohet pa prezencën e tifozëve dhe qëndrimi afër stadiumit do të jetë i ndaluar për shikues.
Mediat do të vendosen në pjesën Qendrore të stadiumit, aty ku do të qëndrojnë edhe zyrtarët e klubeve.
Parkingu brenda stadiumit do jetë i mbyllur (përveç automjeteve zyrtare) dhe nuk do të lejohet parkingu i veturave afër hapësirave të stadiumit për shkak të sigurisë.
Nga ana tjetër, FV Drita për sot ka ftuar një konferencë për media (ora 13:00), ku para gazetarëve pritet të flasin kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe kapiteni, Ardian Limani.
Përndryshe, xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës në futboll, nis sot me tri duele, Malisheva pret Prishtinën, Ferizaj luan me Trepça ’89 si dhe Drenica sfidon Dukagjinin.