Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një paraqitje para mediave ka kritikuar Qeverinë që, sipas tij, i ka injoruar iniciativat për të ndihmuar në procesin e dialogut, si dhe në politikën e jashtme.
Abazi ka thënë se janë prekur raportet e Kosovës me partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke iu referuar vendimit për targat, Abazi tha se kjo çështje do të mund të priste deri në momentin e nënshkrimit të një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është karta dhe çelësi për Serbinë për të rrëzuar nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të Berlinit, si dhe për të mbajtur minimumin e presionit ndërkombëtar për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka thënë Abazi.
Sipas Abazit, kërkesat e ndërkombëtarëve do të duhej të shyrtoheshin. Ai e ka përkrahur idenë që Kosova të fillojë konsultat rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke komentuar çështjen e Asociacionit, Abazi ka theksuar se ai nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive porse meqë ekziston një mendim i Gjykatës Kushtetuese, konform tij, Kosova duhet të bëjë hapin e parë.
Abazi ka thënë se deri tek ashpërsimi i raporteve të Kosovës ka ardhur për shkak të qasjes së gabuar në procesin e dialogut, si dhe politikës së jashtme.