Dialogu Kosovë – Serbi, përgjatë 11 vjetëve, herë pas here ka hasur në bllokada, për shkak të një qasjeje destruktive nga ana e Serbisë.
Ky proces nuk pati ndonjë dinamikë të theksuar as kur kryesimin e palës kosovare e mori kryeministri, Albin Kurti.
Për këto gati dy vite, Bashkimi Evropian, arriti vetëm tri herë që t’i ulë përball njëri – tjetrit Kurtin e Vuçiqin, në tavolinën e dialogut në Bruksel.
Takimi i parë mes dy liderëve qe mbajtur më 15 qershor 2021. I dyti me 19 korrik të po atij viti, ndërsa i treti u mbajt me 18 gusht të këtij viti.
Në Kosovë, për këtë dinamikë të ulët e kanë fajësuar qasjen e Bashkimit Evropian dhe emisarit Lajçak në veçanti. Madje këtij të fundit, në fund të muajit qershor vendet Bashkimi Evropian, ia zgjatën mandatin edhe për 18 muaj.
Në këto rrethana pa rezultat, dy motorët e Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania, u angazhuan për përshpejtimin e procesit.
Më 4 Maj, Kurti e Vuçiq, udhëtuan për në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Shcolz, e në këtë ditë, ndërmjetësuesi Lajçak, pati shfrytëzuar rastin për të organizuar edhe një darkë joformale.
E përderisa Lajçak, insistonte në atë se Kurti e Vuçiq, do të takohen në Bruksel kur te merren vesh për diçka, dikush tjetër veproj ndryshe.
Këtë radhë është presidenti francez Emmanuel Macron, ai i cili është bërë shkas që liderët të kenë takime me ndërmjetësit Evropian.
Angazhimi i Francës dhe Gjermanisë, muajt e fundit ka kulmuar edhe me një propozim, siç po quhet edhe si “plan franko-gjerman”, i cili është bërë edhe kryefjala e këtij procesi. Propozime konkrete, afate kohore, zgjidhje të shpejta, e mbikëqyrje të zbatimit të marrëveshjeve nuk është parë prej kohësh nga Bashkimi Evropian.