Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron që sa më shpejt të plotësojë vendet e lira të punës në veri të Kosovës. Kjo pasi serbët janë tërhequr nga institucionet kosovare dhe ai nuk dëshiron të presë derisa serbët të kthehen. “Nuk mund të lejojmë vakum”, tha Kurti, gjatë një vizite në Vjenë, duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve të Austrisë, APA.
Kurti kundërshton zbatimin e formimit të një Asociacioni të komunitetit serb në veri të Kosovës, që është rënë dakord në vitin 2013, i cili kërkohet nga Serbia, por edhe nga SHBA-të dhe BE-ja.
“Do të duhet të organizojmë zgjedhje të reja për katër kryetarë komunash në veri të Kosovës”, tha kryeministri kosovar.
Të tjerët do të duhet të zënë vendin e dhjetë deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, parti kjo e cila është besnike ndaj Beogradit.
“Nëse nuk duan, duhet të vazhdojmë me partnerët e tjerë”, tha Kurti.
Po ashtu punonjësit e policisë do të duhej të zëvëndësoheshin sa më shpejt dhe pa probleme, -“sepse duhet të garantojmë sundimin e ligjit dhe sigurinë për të gjithë”.
“Atje ka nevojë për policë të mirë me integritet personal dhe profesional pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike”.
APA rikujton se javën e kaluar në shenjë proteste, në një përshkallëzim të ri të konfliktit në veriun e Kosovës, serbët etnikë dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre në institucionet kosovare, si policia, gjyqësori, parlamenti dhe komunat.
Sipas agjencisë, shkak për këtë ka qenë vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar targat e automjeteve, nga ato të lëshuara nga Serbia fqinje, në ato kosovare. Kryeministri kosovar, pas kësaj proteste, sheh vetëm- “një pakicë ekstremiste brenda pakicës serbe”.
“Shumica dërrmuese prej 90 për qind e serbëve të Kosovës tashmë i kanë ndërruar targat e veturave”.
Edhe me 1500 fletëqortime të vendosura deri më tani për pronarët serbë të veturave, Kurti deklaron se nuk ka pasur asnjë ankesë apo incident. “Të gjithë serbët e marrin fletëqortimin dhe as nuk u thonë ndonjë fjalë të keqe policëve, sepse qytetarët janë të mirë dhe të qetë. Problemi janë strukturat ilegale të financuara nga Beogradi në veri të Kosovës”, thotë ai.
Kreu i qeverisë kosovare ka refuzuar zbatimin e formimit të një Asociacioni të komunitetit serb në veri të Kosovës, për të cilin është rënë dakord në vitin 2013, si kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, e të cilin e kanë kërkuar edhe SHBA-të dhe BE-ja për një kohë të gjatë.
“Unë kam ardhur në pushtet vitin e kaluar, e kanë qenë paraardhësit e mi ata që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi. Pse nuk e zbatuan atëherë?”, tha Kurti.
APA shkruan se Kurti ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka cilësuar si jokushtetuese dispozitat e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e BE-së.
“Një Asociacion etnik nuk është në përputhje me Kushtetutën tonë, sepse thelbi i Kushtetutës së Kosovës është natyra multietnike e shtetit”.
Kërkesat për një autonomi të tillë për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Kurti ka thënë se nuk kanë ardhur nga popullata vendase.
“Vetëm Beogradi e dëshiron këtë në mënyrë që të kompensohet për humbjet që pësoi në luftë, në kohën e Millosheviqit. Por kjo nuk është e realizueshme”.
Megjithatë, Kurti është i bindur se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve do të arrihet në dy vitet e ardhshme.
“Njohja reciproke nuk do të jetë e vetmja çështje, por ajo duhet të jetë pjesa qendrore”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Kurti e përshkroi një plan franko-gjerman të paraqitur së fundmi për të dyja palët si- “një bazë të mirë për diskutime”, por pa hyrë në detajet e planit, të cilat ende nuk dihen.
Megjithatë ai citohet të ketë thënë se është pozitive që plani është i bazuar në vlera dhe jo vetëm për zgjidhjen e problemeve, sikurse që ishte në qasjet e mëparshme.
“Ka shumë mangësi, por është një pikënisje e mirë”, tha kreu i qeverisë.
Në muajt e fundit, Kurti ka thënë se padyshim që ka pasur suksese, duke iu referuar marrëveshjes për udhërrëfyesin, për çështjet e energjisë në veri të Kosovës dhe marrëveshjes së arritur në verë për dokumentet hyrje-dalje mes Kosovës e Serbisë.
“Unë jam gjithashtu shumë optimist sepse kemi një mundësi të mirë për të arritur një marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin Olaf Scholz në Berlin”.
Ai njoftoi se qeveria e tij ka ndërmend të paraqesë një kërkesë për anëtarësim në BE deri në fund të vitit. “Duam të tregojmë publikisht se duam të anëtarësohemi në BE”, tha Kurti./rtklive/