Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se situata në veri të Kosovës dhe jo vetëm është shumë e tensionuar, derisa shtoi se ministri Sveçla i ka tërhequr apo mbyllur stacionet policore në fshatrat e Podujevës në vijën kufitare me Serbinë.
Sipas Berishës, ky është gabim i madh pasi sipas tij, banorët atje ndihen të pasigurt dhe policia është e domosdoshme për sigurinë e tyre në atë pjesë.
“Kjo është shqetësuese dhe gabim i ministrit Sveçla sepse në këtë rajon përfshihen 19 fshatra të komunës ë Podujevës të cilat janë në kufi me Serbinë dhe janë vazhdimisht të kërcënuara nga rrjedhojat e eventuale të incidenteve të shkaktuara nga fqinjët tanë. Banorët atje ndihen të pasigurt andaj prania e policisë së Kosovës është e domosdoshme për sigurinë e atyre banorëve”, tha Berisha.
Ai shtoi se qeveritarët fjalët i kanë të mëdha derisa në anën tjetër i tërheqin stacionet policore apo i mbyllin.
“Policia e Kosovës është në gjendje të rëndë të funksionimit. PK, FSK dhe të gjitha organet e sigurisë janë duke punuar me kruhet të rënda pune duke filluar nga oraret e tejzgjatura, moskompensimi i orëve shtesë, mungesë të sigurisë në vendin e punës, paga të ulëta dhe veshmbathje të dobëta që lënë shumë për të dëshiruar”, tha Berisha.
Sipas Berishës, këtë vit 150 policë e kanë lënë punën, derisa pjesëtarët e FSK-së po largohen çdo ditë.
“Këtë vit 150 policë e kanë lëshuar punën, po ashtu janar – tetor janë diku mbi 70 pjesëtarë të FSK-së, çdo ditë largohen nga FSK, e lëshojnë punën për shkak të pagave të dobëta, për shkak të gjendjes ekonomike, për shkak të transportit”, tha Berisha.
Sipas tij, është gabim i madh se Qeveria e Kosovës po e mban situatën e relaksuar sikur të mos kishte ndodh asgjë.
“Situata në veri është shumë e tensionuar por jo vetëm në veri por nuk i përmenda rastësisht 360 km që na ndajnë me Serbinë e që sovraniteti e integriteti i Kosovës shkelet çdo ditë nga forcat e xhandarmërisë serbe.
Këta i kanë fitu zgjedhjet, i kanë 51 për qind, është mirë këtë pyetje me ia bë Bislimit, ne kemi dhënë zgjidhje edhe rrugëdalje, jemi mundu shumë por s’duket nuk i kanë marrë parasysh as sugjerimet tona, jemi kanë të gatshëm të përfshihemi sepse bëhet fjalë për vendin tonë, nuk i kanë marrë parasysh”, tha Berisha.
Këtë konferencë Berisha e mbajti pasi dështoi mbledhja e Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, e cila në rend dite kishte shqyrtimin e Projektligjit për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policor.