Vendimi për gjobitjen e serbëve që bartin targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS është shtyrë për 24-orë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Përmes njoftimit Policia bëri të ditur se nga 22 nëntori do të fillojë zbatimi i vendimit për gjobitjen e qytetarëve që bartin këto targa ilegale.
“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsapas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në njoftim.
Kurse, siç njofton Policia, nga 1 nëntori janë shqiptuar rreth një mijë e 740 qortime për serbët që bartnin targa ilegale.
“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një (1) Nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, lidhur me implementimin e këtij vendimi është paraparë që të hënën në Bruksel të ketë takime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.