Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimit që pati me shefin për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit për dialogun Miroslav Lajçak dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel rreth konvertimit të targave ilegale serbe në “RKS”.
Në një adresim për media, Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si një datë përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjentë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra po vimë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti u shpreh optimist se BE do të gjejë forcën që ti rrijë prapa propozimit të saj për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të shndërrohemi me liderë shtetërorë që merremi me çështje të targave dhe nuk diskutojmë për normalizim”, tha Kurti.
Tutje, ai deklaroi se BE-ja propozoi që Kosova të mos shqiptojë më gjoba për targat ilegale dhe të vazhdojë me qortime, teksa Serbia të mos lëshojë më targa të tilla ilegale serbe.
“Pra të vazhdojmë me ato qortimet, ndërkaq Serbia të pushojë me emitimin e prodhimin, lëshimin e targave në Serbi që kanë për deminim qytetet e Kosovës por natyrisht për ne nuk është pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë çka kemi ardhur, dakormidimin që me urjgencë të dakordohemi për marrëveshje finale”, shtoi Kurti.