Në aksidentin në Jashanicë të Klinës, ku vdiq një kadet i Policisë së Kosovës, dyshohet se është përfshirë edhe një automjet, por që vozitësi i tij ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Automjeti nuk është arritur të identifikohet akoma nga Policia, njofton Policia në raportin e saj 24-orësh, teksa rasti po hetohet.
Kadeti i Policisë ishte duke shkuar për punë në kohën kur ndodhi aksidenti që ia mori jetën.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Aksident trafiku me fatalitet/ Fsh. Jazhinc – Klinë, 21.11.2022 – 06:50. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, derisa kishte qenë duke drejtuar veturën me targa vendore, ishte aksidentuar dhe si pasojë ka pësuar lëndime të rënda trupore, që në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë ishte dërguar pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Në aksident dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një automjet deri më tani i panjohur, vozitësi i të cilit pas aksidentit nuk është ndalur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, kurse trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.