Një ditë para se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e të Zi të jetë në Kuvend, ende nuk dihet saktë nëse janë siguruar votat apo jo, ku për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.
Koalicioni qeverisës dhe LDK thuhet se i kanë siguruar 79 vota, por janë edhe në kërkim të një vote.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të jenë të martën në seancë dhe të votojnë pro Marrëveshjes së Demarkacionit, pasi sipas tij, tashmë është deklarata e dy presidentëve, atij të Malit të Zi dhe të Kosovës, si dhe raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit.
Ai tha se me realitetin e ri të krijuar nuk ka arsye të mos votohet Demarkacioni.
“Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i lehtë, por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha Haradinaj.
E shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, ditë më parë ka shfaqur besimin se i kanë siguruar numrat për të votuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka thënë se synojnë të kenë edhe më shumë se 80 numra në Parlament kur votohet për marrëveshjen e kufirit me malazezët.
Ndryshe, kundër kësaj marrëveshje janë deklaruar Vetëvendosje dhe Lista serbe.
Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ka tri vite që nuk e merr bekimin e Kuvendit, ndërkaq ratifikimi i kësaj marrëveshje është një ndër kriteret e liberalizimit të vizave.