Deklaratat e kryetarit të Komunës së Gjilanit, njëherësh edhe i Degës së LDK-së në këtë komunë. Lutfi Hazirit, se është për një qeverisje gjithëpërfshirëse, duket të jetë “një gisht mjaltë” për të tjerët, pasi, tani për tani, i ka “heshtur” subjektet politike në këtë komunë.
Por, ndonëse janë të heshtura karshi publikut, ato përbrenda tyre “zihen” e kalkulojnë kur është në pyetje koalicioni i mundshëm me LDK-në e Hazirit, që i ka fituar zgjedhjet.
Edhe në PDK-në e Gjilanit, ka mendime të ndara rreth një koalicioni të mundshëm me LDK-në, pasi ka zëra që janë për, por ka edhe zëra që janë kategorikisht kundër.
Si subjekt politik, PDK ende nuk ka dal me ndonjë qëndrim të prerë zyrtar, rreth pozicionit të saj, andaj ka mundësuar që individë të ndryshëm brenda këtij subjekti politik, ta masin këtë çështje me kandarin e tyre personal.
Por, ai që publikisht e ka shprehur disa herë qëndrimin e tij për këtë çështje, është Gani Neziri, anëtar i kryesisë së PDK, Dega në Gjilan. Ai edhe në prononcimet e mëhershme për Portalin 2LONLINE, por edhe tani vazhdon të jetë i mendimit se PDK-ja do të duhej të ofrojë ofertën e saj e cila, nëse pranohet, do të bënte që ky subjekt politik të jetë partner me LDK-në në bashkëqeverisje.
Por, ai e ka qartësuar edhe njëherë se është vetëm qëndrim i tij, që e ka shprehur edhe para organeve të partisë, e cila vendos për këtë, e assesi qëndrim i strukturave drejtuese të PDK-së.
Por, pikërisht ky qëndrim i tij i shprehur edhe publikisht ka bërë që për dikë në PDK, ai të mos shihet me sy të mirë, andaj edhe nuk mungojnë as thashethemet në këtë drejtim, se ky jo vetëm që është pro bashkëqeverisjes, por edhe është angazhuar konkretisht për t’u jetësuar kjo, duke iu “larit”, së tepërmi kreut të komunës.
I pyetur nga 2LONLINE, se a është pjesë e ndonjë grupi ndërmjetësues në bisedime me LDK-në për çështje të koalicionit, apo ndoshta me ndonjë iniciativë personale, Neziri e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka asnjë lloj autorizimi nga partia e tij, PDK-ja, që ta kryej ndërmjetësimin, andaj çdo gjë që flitet rreth kësaj çështje kuluareve, janë të pavërteta dhe me qëllime të këqija.
Por, ai ka pranuar se brenda partisë së tij, “vlojnë” thashethemet nga bashkëpartiakët e tij për këtë çështje se gjoja ky po e telefonuaka kryetarin e komunës shpesh, për këtë çështje, por se, sipas tij, këto thashetheme janë me prapavijë dhe kanë një qëllim krejtësisht tjetër.
“Po, ka të tillë brenda PDK-së që shpërndajnë thashetheme brenda disa qarqeve të partisë, kinse posedojnë argumentin se unë e paskam lodhur duke e thirrur nëpërmjet telefonit, z.Lutfi Haziri, për ta lutur për bashkëqeverisje. Është e vërtetë se jam për bashkëqeverisje, por absolutisht nuk është e vërtetë se kam thirrur në telefon kryetarin e komunës që të bisedoj rreth kësaj çështje. Nuk e kam thirrur sepse nuk kam asnjë lloj autorizimi nga partia ime PDK, që ta kryej ndërmjetësimin”, ka thënë Neziri.
Ai thotë se krijimi i kësaj thashetheme duke apostrofuar emrin e tij, ka për qëllim lëndimin e autoritetit të tij brenda partiak, pikërisht në pragun e zgjedhjeve brenda partiake që pritet të mbahen së shpejti.
Neziri thotë se ka të tillë në PDK, të cilët marrëveshjet politike i shohin vetëm me kutin e interesit personal e assesi me atë të përftimit partiak dhe të qytetarëve, andaj edhe merren me thashetheme kur nuk u del kalkulimi mirë, pavarësisht se, sa ia sheh sherrin subjekti i tyre.
“Është shumë e vërtetë se jam për bashkëqeverisje, sepse jam shumë i sigurt se kjo do të ishte në interesin e PDK-së. Madje, jam shumë i sigurt se do të jetë edhe interesi i LDK-së, e edhe i qytetarëve gjilanas. Me nënkryetarin nga radhët e PDK-së dhe me më së paku pesë drejtori, ku drejtorët tanë do të ishin të përkushtuar në resorët që do të udhëhiqnin, do të bëheshim shembull pozitiv i punës në sy të qytetarëve të komunës tonë. Për më tepër, nga përkushtimi i drejtorëve tanë do të mund të inkurajoheshin edhe drejtorët e LDK-së”, shprehet për 2LONLINE, Gani Neziri i PDK-së.
Ai konsideron se përpjekja për një bashkëqeverisje me partnerin e koncepteve të ndryshme, për të njëjtin qëllim, nënkupton kulturën e lartë të politikës qytetare.
Sido që të jetë, në seancën e radhës (brenda pak ditësh) pritet të dali për miratim statuti i komunës, ku LDK-së i duhen më shumë vota (2/3) se sa ka, pa ndonjë marrëveshje politike, për ta kaluar atë. Nëse kalon statuti, ashtu edhe siç ka premtuar, kreu i komunës, Lutfi Haziri, brenda javës do të duhej ta bënte publike edhe përbërjen e e re të Bordit të Drejtorëve, ku do të shihej pastaj cila na qenka qeveria “gjithëpërfshirëse”, e trumbetuar tash e sa kohë nga ana e tij.