Logopedi nga Gjilani Iljasa Fazliu, të cilit dje i është caktuar një muaj paraburgim për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”, ndodhet në spital nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Për gjendjen shëndetësore të tij foli për Gazetën Express Arsim Emini – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
Sipas doktorit Arism Emini, logopedi i dyshuar për abuzimin e një vajze me autizëm, ndodhet i shtrirë në spital për shkak të problemeve me hipertension dhe sheqer dhe jo për shkak të lëndimeve fizike.
“Në spital është me hipertension dhe me sheqer, ndodhet në repartin e Internos. Ai nuk po qëndron i shtrirë për shkak të traumës fizike, por pardje është pranu në spital me sheqer të rritur dhe shtypje të lartë të gjakut. Gjendjen e ka stabile”, tha doktor Emini për Gazetën Express.
Ai shtoi se logopedi Fazliu ka probleme të natyrës interniste.
Drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini tha se logopedi Fazliu po qëndron në spital nën përcjelljen e policisë dhe seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtë dje po ashtu në spital.
Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar dje një muaj paraburgim Iljasa Fazliut dhe dy të dyshuarve tjerë, I. Sh. dhe R. V.