Nesër në orën 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet pas vrasjes së gruas shtatzënë në afërsi të Klinikës së Gjinekologjisë. Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, kanë ftuar të gjithë qytetarët për të protestuar nesër kundër vrasjeve të tilla.
“Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bënë burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje. Gratë po vriten një nga një në Kosovë, në shtëpitë e tyre, në spitale e rrugë nga burrat bashkëshortë, familjarë e të njohur. Me sopata e plumba e në mënyrën më makabre burrat po ua marrin jetën grave. Ata po vrasin gratë në sytë tanë e në dijeninë e shtetit e me ndërmjetësimin e tij. Gratë vriten, e para kësaj dhunohen vazhdimisht, në heshtje e pambrojtje. Ato jetojnë nën frikë të vazhdueshme, deri sa në fund iu merret edhe fryma e fundit”, thuhet në njoftimin e KMVF.
Ndërkaq, RrGK ka thënë se tani është nevojë emergjente ‘për solidarizim me njëra-tjetren dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive.
“Në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra, ju ftojmë të na bashkangjiteni nesër, në protestë, prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti,Prishtinë”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.
RrGK thotë se asnjë hapësirë nuk është më e sigurt për gratë.Sipas këtij rrjeti, burrat i vranë gratë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta.
“Gra dhe vajza, jemi të rrezikuara! Në gjumë, në përditshmëri, në institucione shëndetësore edhe edukative, hapësira publike edhe hapësira private, në parqe, rrugë, brenda mureve të shtëpive tona…Asnjë hapësirë nuk është më e sigurt për ne! Brenda një jave, dy burra vranë dy gra. Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale!Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë!”, thuhet në komunikatën e RrGK-së./rtklive/