Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka prezantuar para qytetarëve raportin 1-vjeçar të punës, i bazuar në tri shtylla, ndryshim, ndershmëri e profesionalizëm, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari Hyseni, pasi falënderoi kryeministrin Kurti për prezencën, ka thënë se për vetëm një vit qeverisje, i kanë kthyer komunën qytetarëve e janë angazhuar me përulësi, modesti e përkushtim.
“Modeli jonë i qeverisjes, Kryeministri Kurti, nderoi Gjilanin dhe punën tonë me prezencën e tij në Gjilan. Po ashtu, me qindra qytetarë ishin prezent në raportimin tonë për punën 1 vjeçare. Nga 26 milionë euro obligime, për vetëm 11 muaj, kemi paguar mbi 7 milionë. Planifikimet e të hyrave i kemi tejkaluar për qindra mijëra euro, ndërsa investimet janë milionëshe. Me dhjetëra projekte e kosto milionëshe, po e përmbyllim vitin pa asnjë cent obligim”, ka thënë kryetari Hyseni.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Gjilani sot ka një kryetar që është model i qeverisjes.
“Gjilani sot ka një kryetar që është model i qeverisjes. Nga kryetari Hyseni në nivel lokal prisni qeverisje të mirë, shërbime më të mira komunale dhe projekte zhvillimore për të gjithë. Nga ne në nivel qendror prisni politika të mira, menaxhim të mirë të parasë publike, luftim të krimit e korrupsionit, reforma shumë sektoriale, zhvillim ekonomik, përfaqësim të dinjitetshëm e drejtësi gjithandej”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkohë, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se gjatë kësaj kohe janë përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve dhe rend e rregull brenda institucioneve.
“Përfshirje në vendimmarrje e planifikim. Transparent e llogaridhënës”, ka theksuar ai, duke shtuar se Gjilani, nga mungesa e vëmendjes institucionale qendrore, po kthehet në kryeqendër për investime.
“Buxheti i Komunës sonë për 2023 do të jetë rreth 33 milionë, pra 12% më shumë se në 2022, ndërsa investimet kapitale nga buxheti shtetëror kapin shifrën e afro 47 milionë eurosh. 2023 do të jetë viti i dytë i qeverisjes dhe i pari me planifikim nga ne. Ndryshime të mëdha na presin. Projekte edhe më të mëdha në horizont. Mirënjohës për besimin tuaj”, është shprehur kryetari Hyseni.