Barrikadat në veri nuk do t’i lejojmë të qëndrojnë shumë gjatë, dhe se për këtë temë institucionet e Kosovës janë në koordinim të rregullt me paqeruajtësit e KFOR-it. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas ceremonisë së fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë.
Ne jemi në koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i, dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha kryeministri Kurti.
Numri një i qeverisë foli edhe për kërkesën e autoriteteve serbe për dërgimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë. Kurti tha se kjo është kërkesë jo reale, e cila flet më shumë për ata sesa për Kosovën.
“Kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, as në shekullin e 20-të e as 19-të. Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ndërsa sa i përket protestës së thirrur nga grupet djathtiste serbe afër Jarinjes, Kurti tha se synimi i tyre është destabilizimi i Kosovës.
“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje. Synimi i tyre ishte të hynë në Kosovë…organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht që janë kujdesur për sigurinë dhe paqen”, deklaroi Kurti./rtklive/