Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në takimin e fundit për këtë vit, të kryesuar nga nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, e ka vlerësuar të mirë gjendjen e sigurisë në Gjilan, ndërkohë që ka kërkuar nga qytetarët të festojnë kujdesshëm gjatë festave të fundvitit, pa përdorim të mjeteve pirotenike dhe pa të shtëna armësh.
Për më tepër, nënkryetarja Morina Bunjaku ka thënë se kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka nxjerrë një urdhëresë që ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike, e cila është përcjellë edhe me materiale vetëdijesuse, duke kërkuar nga anëtarët e KKSB-së që edhe ata të ndikojnë në respektimin e kësaj mase në mjediset prej nga vijnë, në mënyrë që të sigurohet një ambient i qetë për të gjithë qytetarët.
Përndryshe komandanti i Stacionit të Policisë, Agim Lipovica ka prezantuar një informatë të hollësishme sa i përket sigurisë në komunën e Gjilanit, gjatë vitit 2022, duke nënvizuar faktin se gjendja e përgjithshme ka qenë shumë e mirë, për çka meritat më të mëdha i ka adresuar te qytetarët.
Sa i përket statistikave, gjatë vitit 2022 vërehet një rënie e lehtë e numrit të përgjithshëm të krimeve, derisa inkurajues është niveli i zbulimit të rasteve.
Edhe te dhuna në familje ka një rënie të lehtë të rasteve në krahasim me vitin paraprak, ka thënë Lipovica, duke nënvizuar se në rreth 50 për qind të rasteve bëhet fjalë për persona të njëjtë, që janë përsëritës të veprës.
Besohet se rritja e rasteve të dhunës në familje, pas luftës, është më tepër rezultat i vetëdijesimit të qytetarëve për t`i raportuar rastet dhe besueshmërisë së qytetarëve të policia dhe institucionet tjera të Kosovës, në krahasim me periudhën e paraluftës.
Sa i përket trafikut, aksidentet kanë shënuar rritje edhe përkundër zbatimit të planeve operative dhe numrit të gjobave, prandaj në këtë drejtim duhet bërë më tepër në të ardhmen, sepse shpëtimi i një jete është sukses i madh.
Lipovica i ka ftuar qytetarët për bashkëpunim, duke nënvizuar se situata e mirë e sigurisë është interes i përbashkët.
Ndryshe, nënkryetarja Morina Bunjaku tha se një hulumtim i realizuar nga Universiteti ‘Kadri Zeka’ ka treguar se besueshmëria e qytetarëve ndaj policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit është e lartë dhe kjo, shtoi ajo, na bënë krenarë të gjithëve.
Në këtë takim, KKSB e ka rekomanduar për Kuvend edhe planin e punës për vitin 2023.