Ligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat i miratuar në Kuvendin e Kosovës këtë javë, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po vlerësohen se kanë një sërë problemesh dhe paraqesin një varg shkeljesh.
Për këto arsye, javën e ardhshme kjo parti këto dy ligje do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Të dy Ligjet ai për pagat dhe Ligji për zyrtarët publik karakterizohen nga shkeljet të shumta të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave të njeriut, në rastin e shërbyesve civil dhe po ashtu nga shkeljet e detyrimeve që Kosova ka marr karshi Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes Asociim-Stabilizimit sepse ne në këtë marrëveshje në nenin 120 kemi përcaktuar dhe kemi marr përsipër që do t’i implementojnë të gjitha parimet e administratës publike ne nivel të BE-së, gjitha këto parime shkelen nëpërmjet ligjit për zyrtarët publik”, është shprehur ai për Ekonomia Online.
Gruda ka theksuar se me Ligjin për zyrtarë publik do të dalin nga puna 1,600 zyrtarë publikë, dhe sipas tij, në këtë mënyrë Qeveria do t’i punësojë personat e vetë.
“Ligji për zyrtarët publikë ka disa defekte serioze. Ky ligj i nxjerrë nga puna 1,600 persona në Kosovë, nëse ky ligj hyn në fuqi 1,600 persona që punojnë në sektorin publikë do të mbetën pa punë. Pozitat e tyre do të dalin në konkurs publik, kur dalin në konkurs publik ne e dimë se si punësohen njerëzit nga kjo Qeveri se e kemi përvojën. Punësimi familjar dhe ai politik nuk fshehën më, është në sipërfaqe është bërë normë. E dyta, pozitat e gjithë këtyre zyrtarëve bëhen me mandat 4-vjeçar, pra bëhen mandat sikurse e stafit politikë, që do të ishte shkatërrim i administratës. Mund të jetë interes i partisë sot në pushtet që t’i fusë 1,600, aty është qëllimi, mund të jetë edhe në interes e një partie që mund të vijë nesër. Ata nuk mund të nxirren nga puna në këtë mënyrë, është shkelje e të drejtave Kushtetuese të tyre”, ka shtuar ai.
Sa i përket Ligjit për pagat, Gruda ka thënë se ky është një rast i pa precedent sepse ligji është miratuar pa ditur vlerën e koeficientit. Sipas tij, koeficienti me këtë ligj do të caktohet me vendim qeveritar.
“Në rastin e ligjit të pagave kemi të bëjmë me një rast të pa precedent kur miratohet ligji i pagave dhe as kush nuk e dinë se sa e ka pagën. Është lënë që koeficienti të vendoset përmes një vendimi qeveritarë, efektivisht kjo do të thotë që paga e çdo personi që punon në sektorin publik nuk caktohet me këtë ligj, caktohet me vendim qeveritarë që e cakton koeficentitn. Kjo i shkel parimet e sundimit të ligjit që kanë të bëjnë me parashikueshmërinë, me transparencën dhe besojmë që në këtë pikë edhe Gjykata Kushtetuese do të jetë në vijë të njëjtë në mendimin tonë. Po ashtu me këtë ligj ulen paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu ky ligj bie ndesh me ligjin për Gjykatat dhe ligjin për Prokurorin e shtetit. Defekt tjetër i këtij ligji është se shërbyes të caktuar publikë trajtohen në mënyrë diskriminuese, zyrtarët publikë të një komune të vogël do të marrin pagë më të vogël se zyrtarët publik të një komunë të madhe”, tha ai.
Ai shtoi se të gjitha këto të gjetura dhe me gjitha argumentet që i ka thënë Zyra e Bashkimit Evropian do të dërgohen javën e ardhshme në Gjykatën Kushtetuese.