Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në konferencë për media ka folur për projektet afatgjate të cilat janë realizuar gjatë këtij viti dhe atyre të cilat do të vazhdojnë te realizohen në vazhdimësi.
Ministrja Rizvanolli, tha se gjatë këtij viti kanë siguruar 405 milionë euro për sektorin e energjisë, kurse theksoi se vitin e ardhshëm 49 milionë euro do të shfrytëzohen për efiçiencë e që sipas saj, është më shumë sesa të gjitha projektet që janë realizuar ndonjëherë në vend.
“Këtë vit kemi siguruar 405 milionë euro për sektorin e energjisë për investime kapitale dhe për përballje të qytetarëve me krizën. Nga këto 340 milionë euro janë grante duke përshirë këtu nga MCC,-ja, SHBA-ja, dhe Banka Gjermane për Zhvillim, pjesa tjetër janë bashkëfinancim nga Qeveria dhe nga ndërmarrjet kosovare. Vitin tjetër 49 milionë euro do të shfrytëzohen për efiçiencë, që është më shumë sesa të gjitha projektet e efiçiencës që janë zbatuar në Kosovë ndonjëherë”, tha ajo.
Tutje sipas saj, në vitin tjetër pritet edhe zyrtarizimi i projektit 200 milionë eurosh për investime të reja në energji.
“Në për vitin tjetër nga projektet që tanimë i kemi planifikuar presim zyrtarizimin e mbi 200 milionë eurove, marrëveshjeve të reja për investime në energji, nga të cilat 63 milionë grante dhe mbi 70 milionë nga sektori privat përmes ankandit të parë për energji solare. Pra me të gjitha këto investime dhe strategji të reja me paketën për integrim rajonal po vëmë themelet e një sektori modern të energjisë më të pastërt, më të decentralizuar, e të integruar në tregun rajonal e evropian”, tha ajo.
Teksa ka falënderuar qytetarët për kontributin e tyre në përballje me krizën energjetike dhe njëherit ka inkurajuar qytetarët të kursejnë energjinë edhe në muajt në vijim, të cilat ajo i cilësoi si “kohë të vështira”
“Unë i falënderoj qytetarët për kontributin e rëndësishëm në përballje me krizën dhe ne si Qeveri kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundshme për të zbutur ndikimin e krizës te qytetarët dhe te ekonomia jonë. Ju inkurajoj që të vazhdoni të kurseni energjinë. Gjjatë muajve të ardhshëm do të intensifikojmë komunikimin me ju në kohë të vështira në mënyrë që situatën ta menaxhojmë bashkë me koston më të lirë të mundshme për ju”, shtoi ajo.