Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa e shtëpi, sidomos gjatë stinës së verës. Si çdo ditë tjetër, edhe gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar disa raste të tilla. Në mesin e tyre është një vjedhje që ka ndodhur në një banesë në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga pronari i banesës, i cili e ka njoftuar Policinë se dikush i ka vjedhur nga banesa 35 mijë dollarë amerikanë që i kishte lënë në një dollap, por që nuk i gjeti sot kur e kontrolloi vendin.
Këtë herë vjedhja u krye më lehtë, pasi hajni apo hajnat nuk depërtuan me forcë, por hynë me çelës në banesë, çka i ka ngritur dyshime viktimës për personat te të cilët mund t’i kenë vjedhur paratë.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që viktima ka përshkruar në detaje se si e gjeti banesën kur e hapi.
Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.