Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë, raporton teve1.info
Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ky Ligj bie ndesh me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.
“Sot në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë”, tha Gashi.
Gashi tha se LDK e vlerëson se ky Ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, që është Marrëveshja për Stabilizim Asociimit dhe në kundërshtim me ligjet tjera.
Paraprakisht edhe PDK-ja e kishte dorëzuar ligjin e njëjtë duke shprehur besim se gjykata do ta rrëzonte atë.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kishte thënë pas dorëzimit se ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë Ligjin për Zyrtarët Publikë.