Shkruan: Arben Ahmeti
Burrave të fshatit u kishte ardhur haberi se duhet të organizohen në strukturat e rezistencës paqësore që kishte nisur shtrirjen në fillim të viteve 90-ta.
U ishte thënë se strukturat duhet të udhëhiqen nga studentët e fshatit. Për ata që nuk koordinohen dhe as ndihmojnë i priste epiteti i tradhtarit e që shpesh u referoheshin edhe si udbash.
Burrat nuk kishin shkollë. Oda ishte institucioni i vetmi edukativ. Mosha ishte kriteri më i qëndrueshëm i vendosjes së hierarkisë autoritative.
Plaku i fshatit e kishte kuptuar rëndësinë e organizmit por pa ide si t’ia bënte. U vendos të mbahej një mbledhje.
Aty njëri nga studentët e inxhinierisë kishte folur gjatë për nevojën e rezistencës që në publik do të njihej si LDK. Ai kishte folur hapur e me fakte për persekutimin sistematik ndaj shqiptarëve.
Me të përfunduar fjalimi, sytë u drejtuan nga plaku i fshatit.
Ai kishte humbur në mendime. Ndër rastet e rralla ku nuk e nxori asnjë fjalë karshi oratorisë së studentit. Ndjeu se po i cënohej autoriteti. Dikur foli.
“Valla bre djalë qaq mirë ke fol, e aq mirë ke ditë, sa mos të ishe kanë djali i Camës edhe ke tu na e mbush menen kretjve”, kishte thënë plaku.
Cama, ishte përemri që fshati përdorte për babain e studentit, bashkëfshatarit dembel dhe pa autoritet që dinte vetëm të fliste shumë. Kësisoj fshati nuk i besonte më dhe as qe e merrte seriozisht. Metafora e kryeplakut u kuptua. Shumë fjalë e pak punë.
“S`asht punë e jemja”, ishte përgjigja e tij për secilën punë që i ishte kërkuar.
Djemtë e Camës
Nuk dihet se ku ka qenë Agim Bahtiri gjatë luftës së Kosovës. Ose më saktë, mund të ketë qenë kudo pos në Kosovë dhe në vijën e frontit.
Sidoqoftë, një mungesë e tillë, nuk e pengon aspak atë që në një studio televizive ta akuzojë Ramush Haradinajn se nuk është patriot, dhe se diku natën në fshehtësi e ka lutur një eksponent serb për ta bërë kryeministër.
Haradinaj që ka oborrin plot varre nga përballja me Serbinë është tradhtar sipas Agimit që ka rigjetur patriotizmin pas vitit 2010-të. Në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Kjo shkon përtej ironisë së plakut për djalin e Camës.
Diçka ngjashëm ndjehesh edhe kur e sheh Xhelal Sveçlën duke treguar se si ata që e udhëhoqën deri tash Kosovën, nuk kanë ditur të luftojnë për veriun.
Ata mund të kenë luftuar për Kosovën në një kohë kur duhej trimëri e çmendur të cilën Xhelali nuk e ka patur atëherë. Por ata nuk e kanë pasur trimërinë që pas lufte të luftojnë për veriun. Këtë trimëri tash e ka Xhelali. Trimëri e pasluftës quhet kjo.
Diçka e ngjashme me ironinë e djemve të Camës është edhe kur e sheh opozitën duke folur për luftën kundër korrupsionit, nevojën për reforma demokratike. Opozita aktuale mund të flasë bukur, por…
Diçka ngjashëm u ndjeva edhe kur si 10-sh përjetuam një fushatë linçimi për një çështje krejtësisht personale e pa kurrëfarë interesi për publikun.
U sulmuam nga ata që nuk të duhet më shumë se tre minuta hulumtim për të kuptuar se janë plotë e përplotë skandale, këqpërdorime dhe pa kurrëfarë dinjiteti.
Një 2022 plotë e përplotë me zhvillime si teoria e stigmatizimit të djalit të Camës.
Njerëz që akuzojnë të tjerët për diçka që se kanë vetë, ose të tjerë që i gjykojnë të tjerët për shkak të së kaluarës që as vetë se kanë.
Ikja e Albinit
Albini nuk mund të stigmatizohet si djali i Camës. Atij nuk i mungon autoriteti. As trimëria e qëndrueshmëria para, gjatë dhe paslufte.
As edukimi nuk i mungon, e as aftësia për ta shtrirë autoritetin në çdo institucion e kudo mes popullit.
Si rezultat i kësaj, ai u ngritë në mesin e partive serioze.
Si rezultat i kësaj, me 2022 sytë u drejtuan kah ai, shumë më fuqishëm se sa që i`u drejtuan atij plakut të fshatit para shumë vitesh.
Ngjashëm diçka si plaku, kryeministri aktual, po gjen vërejtje në secilin që e sfidon. Deputetët e tij, sipas Kurtit janë të mirë por jo të shkëlqyeshëm. Ministrat nuk janë shefa. Aktivistët janë lazdurar. Mediat po financohen nga Serbia. Opozita e korruptuar dhe shoqëria civile e paaftë.
Edhe në sytë e kryeministrit të gjithë mund të flasin mirë si studenti, por nuk kemi të drejtë.
Si rezultat edhe i kësaj, kryeministri ka filluar të mos flas shumë kohëve të fundit.
Oratori i dikurshëm ka filluar që para çdo sfide të përgjigjet me “nuk është punë për mua”.
Sikur Cama dikur.
Andaj nuk shfaqet në studio televizive dhe e nervozon çdo pyetje e secilit gazetar.
Sepse sipas logjikës së Camës, puna është e panevojshme.
Andaj kryeminstri që nuk punon ka filluar edhe të mos flasë.
Ikë nga studiot televizive. Ikë nga problemet e shëndetësisë duke e lënë për muaj të tërë pa ministër dikasterin. Ikë nga grevistët. Ikë nga përballja me Gjykatën Speciale. Ikë nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë.
Dhe kur rastësisht pyetet, përgjigjen e vetme e ka: “Nuk është rezultat i imi, por i 20 vjetëve”.
Diçka sikur “s`asht punë për mu”.
Andaj në 2023 do të uroja që kryeministri të shkojë.
Të shkojë në QKUK e secilin spital të Kosovës për t`u përballur me problemin e ikjes së stafit.
Të shkojë në SBASHK e të përballet me pakënaqësite e punëtorëve.
Të shkojë në polici e të përballet me mungesat e tyre.
Të shkojë tek përfituesit e skemave sociale e të përballet me inflacionin.
Të shkojë në KEK e në KEDS e të përballet me mungesën e strategjisë në energji.
Të shkojë në secilin lum, e fushë ku derdhen ujërat e zeza sepse nuk ka impiante.
Të përballet me mungesën e fabrikave të riciklimit të mbeturinave, trajtimin e qenve endacak, mungesën e reformës në sistemin e edukimit….
Do të doja që kryeministri të shkojë në Uashington e të kërkojë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Të shkojë në Hagë, të takojë bashkëluftëtarët dhe të përballet me mekanizmin që po synon denigrimin e luftës e rezistencës që na e mundësoi të ekzistojmë.
Të ruaj kësisoj dinjitetin e studentit që kishte folur mirë në vitin 1992 dhe kishte luftuar në 1998.
Andaj, shko Albin. Shko në punë e përballu.
Mos ikë. Mos u largo. Mos u bëjë si Cama, që ka folur mirë por nuk ka punuar.