Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për rastin e plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë. I dyshuar për këtë rast është pjesëtari i FSK-së, Azem Kurtaj.
Haradinaj në “Pressing” të T7 tha se nuk “beson që ka qenë e qëllimshme”, mirëpo sipas tij, ky rast ka ndodhur në kohë të keqe.
“Nëse kthehemi te rasti i plagosjes së dy të rinjve serbë të Kosovës, ishte fatkeq ky rast, i ra keq Kosovës. Ne duhet ta kuptojmë një gjë, ushtari duhet të edukohet në vetdisiplinë të skajshme, të operimit, manovrimit dhe përdorimit të armës së zjarrit. Për sigurinë e ushtarit në situata civile kujdeset polici… Unë shpreh respekt për familjen e oficierit të FSK-së Kurtaj, që i njoh. Me të gjitha ndjenjat kombëtare, t’iu them të drejtën është fatkeqësi që ka ndodh, ia bën do sherre Kosovës. Nuk po flas që ka qenë e qëllimshme, nuk besoj që është e qëllimshme assesi por drejtësia le ta vërteton këtë. Por është fatkeqësi, na ka ndodh në kohë të keqe. Realisht iu ka jep mundësi me keqpërdor shumë palëve”, deklaroi Haradinaj.