Këshilli Prokurorial i Kosovës kundërshton deklaratën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me, siç thotë ajo, “mosvullnetin e as interesin për trajtimin serioz të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial i Kosovës me në krye ish-kryeprokurorin Lumezi”.
Deklarata e Ministres Haxhiu nuk është e vërtetë, sepse Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Për të mbështetur këtë departament, po ashtu, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy zyrtarë ligjorë.
E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lartë angazhimin dhe gatishmërinë profesionale të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në forcimin e Prokurorit të Shtetit si një institucioni i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’u ballafaquar me rastet me të rënda në Republikën e Kosovës, të cilat deri në vitin 2015 ishin në kompetencë të EULEX-it. Prandaj, çfarëdo tendencë për të mos njohur të arriturat institucionale nënkupton margjinalizim të të arriturave shtetërore.