I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rruga më e mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve drejt një paqeje të qëndrueshme.
Në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, pas takimeve në Prishtinë dhe në Beograd zoti Escobar tha se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se kjo çështje dhe propozimin franko-gjerman “nuk janë plotësisht të lidhur” më njera tjetrën. Zoti Escobar tha se fakti që Serbia nuk i ka vënë sanksione Moskës për agresionin e saj në Ukrainë e dëmton imazhin e saj. Intervista është redaktuar për të qenë me e qartë dhe e përmbledhur.
Zëri i Amerikës: Ju sapo takuar udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi, a mund të na thoni nëse bisedimet do të rifillojnë së shpejti?
Gabriel Escobar: Pikë së pari bisedimet nuk janë ndërprere asnjëherë. Sfida ishte se dialogu u shndërrua në instrument të menaxhimit të krizave. Ne duam ta vëmë në nivelin strategjik dhe mendojmë se propozimi franko-gjerman është i mirë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht atë propozim dhe qëndrimi ynë është se duam ta bëjmë të funksionojë për të dyja vendet. Më fjalë të tjera duam që ai të funksionojë në atë mënyrë që të hap ardhmërinë evropiane për të dyja vendet, hap mundësitë për bashkëpunim më të gjerë jo vetëm me Evropën por rajonin dhe Shtetet e Bashkuara në përgjithësi.
Zëri i Amerikës: A ka një datë për takimin e ardhshëm në Bruksel?
Gabriel Escobar: Jo formalisht, por kjo po diskutohet dhe duhet të ndodhë shumë shpejt.
Zëri i Amerikës: Presidenti (Aleksandër Vuçiç) tha se i janë bërë të qarta pasojat dhe sfidat me të cilat do të përballet nëse nuk e pranon propozimin franko-gjerman. A mund të na thoni se cilat janë ato pasoja dhe nëse ai i tha po propozimit?
Gabriel Escobar: Nuk dua të paragjykojë diskutimet që zhvillohen në kuadër të dialogut. Por mund të them se diskutuam hollësisht se cilat janë pasojat për rajonin nëse nuk ecet përpara, për rajonin që të ketë një plagë të hapur, të ketë një konflikt të ngrirë, që në fakt nuk është i ngrirë, për komunitetin që duhet të jetojë nën në trysni siç ndodhë në veriun e Kosovës, me bllokada, trysni dhe njerëz nën ankth. Kjo është ajo për të cilën po flasim. Këtë duam ta zgjidhin në kuadër të dialogut. Mendoj se patëm një bisedë shumë të mirë, mendoj se të gjithë e kuptojmë sfidën e vazhdimit të situatës aktuale.
Zëri i Amerikës: Ai (Vuçiç) ka thënë më herët se propozimi është i papranueshëm. A e ndjeni këtë pas takimit apo mbase ai ka ecur përpara?
Gabriel Escobar: Mendoj se kemi ecur shumë përpara sot në radhë të parë. Biseda ishte shume konstruktive. Prandaj mendoj se kemi bazë për të ecur përpara.
Zëri i Amerikës: Konstruktive në kuptimin që do të rifilloni dialogun mbështetur në propozimin franko-gjerman?
Gabriel Escobar: Aktualisht ky është propozimi në tryezë. Tani, si do ta negociojmë aneksin mbi zbatimin, është një rrëfim tjetër. Në këtë Serbia ka 50 për qind të pronësisë mbi procesin dhe nuk ka asgjë për të pasur frikë. Propozimi paraqet shumë mundësi.
Zëri i Amerikës: Ju keni qenë shumë të vendosur kur keni folur për detyrimin e zotit (Albin) Kurti për të zbatuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por edhe ai është i vendosur se nuk do ta zbatojë. Si mendoni se do të funksionojë kjo?
Gabriel Escobar: Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë.
Zëri i Amerikës: Ju kuptova mirë se nëse zoti Kurti nuk e bën do ta bëni ju?
Gabriel Escobar: Do të fillojmë bisedimet në shkallë vendi për atë se çfarë nënkupton ky detyrim për qytetarët e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Nëse zoti Kurti pajtohet në fund ta përmbushë këtë detyrim….
Gabriel Escobar: Më lejoni, Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar…
Zëri i Amerikës: Kurti është kryeministër…
Gabriel Escobar: Po, por si e thashë, një person, një palë nuk mund të shmangë atë. Ky është një detyrim ekzistues. Kosova është pajtuar tashmë si qeveri. Çështja është se si do të zbatohet.
Zëri i Amerikës: Nëse zoti Kurti themelon Asociacionin, a është kjo rruga për të inkurajuar Serbinë që të pranojë propozimin franko-gjerman?
Gabriel Escobar: Më lejoni të them se këto dy çështje nuk janë tërësisht të lidhura. Asociacioni është një detyrim ekzistues që duhet të zbatohet. Propozimi franko-gjerman është shumë i mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve drejt një paqeje të qëndrueshme. Ne do të punojmë njëkohësisht sepse i duam të dyja.
Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç tha së fundmi se është mirënjohës për mbështetjen e Rusisë, por se Serbia nuk e mbështet agresionin kundër Ukrainës dhe i konsideron Donbasin dhe Krimenë si pjesë të Ukrainës. Megjithatë, Beogradi nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Flitet shumë për pasojat politike, dëgjuam edhe mesazhin e Parlamentit Evropian. A ka pasoja të mundshme sa u përket investimeve të huaja nga perëndimi, a do të duan kompanitë të investojnë në Serbi nëse ajo mbetet në këtë anë të historisë?
Gabriel Escobar: Mendoj se do të ketë pasoja. Mendoj se po cenohet imazhi i Serbisë si shtet perëndimor. Është e vërtetë që kompanitë na pyesin nëse Serbia është nën sanksione dytësore, nëse Serbia është një partner solid, dikush tek i cili mund të mbështeten në planin afatgjatë? Këshilla ime është që t’i bashkoheni Perëndimit në zbatimin e të gjitha masave dhe sanksioneve, në mënyrë që Serbia të mos jetë përjashtim në rajon.
Zëri i Amerikës: Sipas informacioneve tuaja, a kanë marrë pjesë njerëz nga Rusia në tensionet në Kosovë dhe në barrikada?
Gabriel Escobar: Nuk kam ndonjë informacion konkret, kam dëgjuar vetëm thashetheme. Por barrikadat dhe tensionet në Kosovë nuk kanë nevojë që Rusia t’i përkeqësojë ato, ato tashmë janë të këqija.
Zëri i Amerikës: Zoti (Derek) Chollet, shprehu shqetësimin lidhur me akuzat se grupi mercenar rus Wagner po rekruton njerëz në Serbi dhe vende të tjera. Z. Vuçiq e mohoi atë, ashtu si edhe z. Yevgenij Prigozhin, kreu i Grupit Wagner, në një përgjigje për Zërin e Amerikës. Cili është informacioni juaj për të?
Gabriel Escobar: Derek Chollet e tha më së miri. Ai tha se Wagner ka një ndikim shumë malinj në të gjithë botën. Është keq për çdo vend ta bëjë këtë. Është e paligjshme këtu. Qeveria juaj e ka të qartë këtë, ashtu si edhe e jona. Nëse ka, duhet të ndalet dhe qeveria duhet ta ndjekë penalisht. Ne kemi vendosmërinë e tyre se do ta bëjnë këtë.