Disa fabrika të përpunimit të ujit si ajo në Drenas, Gjilan, Pejë e Ferizaj i janë kthyer përpunimit të ujit brenda standardeve sipas Udhëzimit Administrativ për cilësi dhe konsum human.
Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në shumicën e vendbanimeve aktualisht po ofrohet ujë që nuk i plotëson standardet e konsumimit, andaj ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë ta vlojnë ujin.
Përmes një njoftimi në Facebook, MSH ka bërë thirrje të shfrytëzohen burimet e sigurta të ujit ose uji i ambalazhuar.
“Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Sipas njoftimit, KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj mbetet jashtë funksionit, fabrika në Drenas ka startuar mbrëmë me trajtimin e ujit me kapacitet të zvogëluar. KRU
“Mitrovica” është në funksion të plotë me trajtimin e ujit, mirëpo uji nuk është brenda standardeve, andaj rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.
Sipas komunikatës, te KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës vazhdon me qenë prezente turbullira në burimet Burimi Drini i Bardhë-Radavc dhe burimi Shkozë-Junik.
Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarinë – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë.
Burimi i Istogut paraqitet akoma me turbullirë, nuk rekomandohet për pije dhe para përdorimit duhet të vlohet.
Edhe në KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës gjendja raportohet të jetë e qetë, por për shkak të sistemit të Gërqinës, i cila akoma ka turbullirë të shtuar, uji nuk rekomandohet për pije dhe dhe para përdorimit duhet të vlohet.
KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik.
Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Ferizaj janë brenda standardeve për ujin e pijes.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L.