U hap mbrëmë Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, me prezencën e qindra pjesëmarrësve, duke qëndruar edhe në këmbë, duke tejkaluar pa dashje numrin e kufizuar prej 296 ulëseve në sallën e kuqe të Teatrit të qytetit në Gjilan, nga interesimi i jashtëzakonshëm për shfaqje.
Në projektin e shkruar të Varg e Vi-së në thirrjen publike nga Komuna e Gjilanit, ka qenë ideja fillestare që hapja e festivalit të bëhet nga aktorja më e vjetër e qytetit për t’ia njohur kontributin meritor dhe nga një përfaqësues i Handikos-it për të promovuar kujdesin ndaj personave me aftësi të kufizuara, por aktorja Mejreme Berisha ishte pjesëmarrëse e premierës që e hapi “Talian e Flakës” dhe në pamundësi të prezencës së saj, fjalën e parë, e mbajti Drejtori Ekzekutiv i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu.
Pasi përshëndeti publikun e Gjilanit dhe mysafirët e respektuar nga gjithë hapësira shqiptare, e veçmas familjarët e nderuar të dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të kombit, invalidët e luftës, veteranët e UÇK-së, zyrtarët e shtetit e të Komunës së Gjilanit – pasi ishte prezent edhe vetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, drejtori Fazliu njoftoi që “festivali si edicion i 32-të i Flakës së Janarit mbështetet tradicionalisht nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe pasi ka karakter garues, do të ndahen pesë çmime: teksti më i mirë, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, inovacioni më i mirë teatror dhe roli më i mirë, dhe se prej 23-28 janar, do të jenë 6 shfaqje nga teatrot shqiptare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas çdo shfaqjeje, në bufenë e Teatrit të qytetit, do të kemi dy panelistë të rregullt që do të hapin debatin për shfaqjet që shohim, ku njëri do të diskutojë në aspektin dramaturgjik dhe panelistja tjetër në aspektin sociologjik, e ku përfaqësuesi i shfaqjes dhe publiku i gjerë do të mund të përfshihen lirshëm në këtë debat 45-minutësh.”
“Debatet për art janë të vështira gjithmonë. Në një anë thuhet se për shije nuk diskutohet, e në anën tjetër e kemi qëndrimin e duhur të filozofit Niçe kur thotë se, edhe pse për shije nuk diskutohet, megjithatë, ne prap diskutojmë. Për këtë arsye, për relaksim pas debatit të vështirë mbi të bukurën, të madhërishmen dhe tragjiken, kemi ahengun te Pep’s Taverna me ushqim e muzikë” – tha Fazliu.
Më pas, Drejtori ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “Handikos” në Gjilan, Fatmir Shurdhani, e hapi zyrtarisht festivalin “Talia e Flakës”, ku ndër të tjerash, u shpreh: “Në emër të organizatës ‘Handikos’, shprehim falenderimin e thellë ndaj organizatës Varg e Vi, të cilët janë kujtuar që përmes këtij festivali me ndikim, të mundemi të përçojmë sadopak një mesazh simbolik e të shkurtër, direkt dhe indirekt, që të kemi shumë më shumë kujdes, empati dhe politika të favorshme për avancimin e të drejtave, lirive dhe standardit të përditshëm jetësor për personat me aftësi të kufizuara” – u shpreh Shurdhani.
Pas fjalimeve hapëse, fjalën e lojën në skenë e kishin pjesëmarrësit nga tri teatrot e Kosovës, në premierën “Fausti”, ndërsa emocionet e mëdha i dhuroi edhe një publik që kishte stërmbushur sallën. “Fausti” është bashkëprodhim nga Teatri i qytetit të Gjilanit, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri i Prizrenit “Bekim Fehmiu”. Shfaqja është e bazuar në veprën e J. W. Gëtes dhe Ch. Marlosë, me autor dhe regjisor Fadil Hysajn, me asistent regjie Ekrem Sopin, me koreograf Robert Nuhën, asistente koreografie, Lavdije Idrizin, skenograf Mentor Berishën, kostumograf Youliana Voykovan, kompozitor Memli Kelmendin, dizajner të dritave Yann Perregaux-in, video-imazhet nga Ujkan Hysaj, mjeshtër zërimi Flamur Krasniqin, grimin nga Minivere Fejzullahi, dizajnin grafik nga Bekim Korça, organizator dhe rekuiziter Suad Berisha, realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti; asistentë teknikë Kenan Gurgurovci dhe Qëndrim Kqiku, dritat nga Fatmir Halili dhe Alban Limoni, e realizatorë të kostumeve, Bahrije Kurtalani dhe Anila Gashi. Në “Faust” morën pjesë aktorët dhe aktoret vijuese: Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Aurita Agushi, Shpetim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha & Alban Morina.
Pasi shfaqja zgjati mbi dy orë, radhën e kishte debati me dy panelistët e rregullt, Josif Papagjoni – autor i dhjetëra librave për teatër e dramë, si dhe Trina Hoti, sociologe. Në debat u përfshi edhe përfaqësuesi i shfaqjes, regjisori Fadil Hysaj dhe gazetarët e publiku.
“E vlerësoj lart shfaqjen e bazuar si inspirim në kryeveprën botërore. Për mua, regjisori Fadil Hysaj është regjisor filozof” – deklaroi Papagjoni. Kurse Hoti u shpreh se, shfaqja “Fausti”, kap tema të gjera, por një gjë me rëndësi është të thuhet se, “dija ka ndryshuar nëpër periudha të ndryshme historike, por sot, dija është e cenuar, kjo dija e klikuar, madje dija është fetishizuar, sipërfaqësore dhe jo e thellë”.
Pas debatit, nën tingujt e muzikës së gjallë, ishte ahengu në Pep’s Taverna, me shumë mysafirë nga tërë hapësira shqiptare. Pas “Faustit”, në kuadër të “Talias së Flakës” sonte është shfaqja “Nyjat” nga Teatri Shqiptar i Shkupit të Maqedonisë së Veriut, me fillim në ora 20:00, ku biletat mund të merren nga vullnetarët e “Zërit Rinor Gjilan” në Talia Info përballë Teatrit të qytetit në Gjilan, vetëm fizikisht, vetëm për një më tepër dhe vetëm për shfaqjen e sotme, sepse ky kufizim, vjen nga interesimi shumë i lartë i publikut për të parë shfaqjet dhe synimi kryesor i Varg e Vi-së, nga fillimi i festivalit, ka qenë kthimi i festivalit për qytetarët e artdashësit pa dallim, e më pak për zyrtarët.