Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për çështjen e Vetingut në sistemin e drejtësisë. Ajo tha se për këtë çështje janë në rregull me opozitën, ndërsa theksoi se për të kaluar ndryshimet kushtetuese duhen edhe votat e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin joshumicë.
Haxhiu tha se janë duke ndjekur rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Sa i përket konsensusit politik e vlerësoj se është e rëndësishme që të jemi të unifikuar për çështjen e reformës në Drejtësi, me opozitën jemi në rregull. Për të kaluar ndryshimet Kushtetuese duhet edhe 2/3 e 20 deputetëve që përfaqësojnë komunitetin joshumicë në Republikën e Kosovës. Është e rëndësishme të kemi takime”, ka deklaruar ajo.
Ajo thotë se përveç Mbretërisë së Bashkuar e cila ka mbështetur këtë proces qysh nga fazat fillestare, SHBA ka pasur rezerva.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është që ne kemi vendosur që të ndjekim rekomandimet e Venecias. Në fillim të diskutimeve dhe hartimit të drafteve për çështjen e Vetingut nuk e kemi pasur mbështetjen e plotë sidomos nga partnerët tanë. Nga Ambasada amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian. Përveç Mbretërisë së Bashkuar që ka dalë publikisht qysh nga fazat fillestare për mbështetje të këtij procesi, në anën tjetër ka pasur qëndrime të ndryshme nga partnerët tjerë. Nga SHBA-ja ka pasur rezerva p.sh në raport me stërgjatëjen e reformës por megjithatë vlerësojë që këmbëngulësia jonë ka bërë që ta mbërrijmë këtë rezultat”, tha Haxhiu.
Po ashtu, Haxhiu theksoi se nuk ka pasur rastin t’i takojë ende deputetët e zëvendësuar të Listës Serbe.
“Ne kuptojmë qëndrimet që i kemi në raport me qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, por ata janë deputetë të Kosovës. 10 prej tyre kanë dhënë dorëheqje, mirëpo tash janë zëvendësuar me të tjerët. Nuk kemi pasur rastin t’i takojmë, por unë e kam për obligim që të takohem dhe të bëjmë të qartë që reforma në drejtësi është e rëndësishme. Ata në pjesën më të madhe nuk vijnë as në seancat e Kuvendit”, përfundoi ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.