Shkruan: Avni Rudaku
1. Janë 8 miliardë banorë, qytetarë, persona, individë, personalitete, në krejt botën (disa janë ende foshnje, por janë duke e zhvilluar personalitetin e tyre).
2. Nëse një familje dominuese monogamike e bërthamë në botë, ka përafërsisht 5 anëtarë, i bie nga 8 miliardë individë, janë mbi 1.5 miliardë familje në botë. P.sh., në Kosovë janë përafërsisht 365 mijë familje.
3. Sociologjikisht, disa familje formojnë fisin. Shkrirja, bashkimi i disa familjeve, formon fisin. P.sh., vetëm te shqiptarët, R. Elsie, identifikon përveç 12 fiseve më të njohura, 69 fise brenda 7 milionë shqiptarëve brenda dy shteteve, mërgatë e përreth rajonit. Në botë i bie se janë rreth 200 milionë, përfshirë edhe fiset primitive, të pakontaktuara, e që nuk janë shndërruar ende në etni.
4. Kur disa fise shkrihen, formojnë etninë. Janë mbi 7500 gjuhë a rreth 10 mijë etni në botë.
5. Kur etnitë duan të vetëqeverisen dhe t’i qeverisin të të tjerët, formojnë kombet a shtetet. Në botë janë vetëm 193 shtete anëtare me të drejta të plota në OKB, ose 195 shtete, me statusin e anëtareve vëzhguese, Selia e Shenjtë e Palestina. Plus janë edhe 50 shtete, që njihen nga mbi 100 shtete a më pak, si Kosova, Tajvani etj., që i bie janë vetëm rreth 250 shtete në botë, ku në mesin e tyre, është edhe Kosova, edhe Shqipëria – kjo e fundit me status më të fuqishëm ndërkombëtar krahasuar me Kosovën.
6. E kemi vetëm një njerëzim, gjersa të ndeshim alienët ose një civilizim tjetër inteligjent në univers, qoftë më pak ose më shumë inteligjent sesa ne.
Pse jemi me fat si shtet?
Sepse në mesin e rreth 10 mijë etnive (veç Kina i ka diku 56 etni, ku dominojnë hanët), ne kemi dy shtete me shumicë shqiptare dhe jemi në mesin e 250 shteteve sa ka bota 8 miliardë banorë.
Prandaj, ta ruajmë Kosovën, ta mbrojmë, ta duam, ta zhvillojmë dhe ta forcojmë lokalisht dhe ndërkombëtarisht.