Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka hedhur kritika të ashpra drejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta Sinjali.
Arifi e ka quajtur Kurtin diktator, duke thënë se nëse dikush kritikon, sipas tij, ai është menjëherë kundër.
Ai tha se në momentin kur ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kishte humbur shumicën e saj në asamblenë komunale, Kurti i kishte telefonuar atij duke i thënë ‘mos bëni kështu e ashtu’, dhe se ka dashur në një moment të caktuar t’ia imponojë që të tërhiqet nga ai procesi.
“Ne normalisht proceset demokratike i vlerësojmë më lartë se ndonjë urdhër të ndonjë pseudo-diktatori dhe i kemi vazhduar proceset. Ai nuk e vëren, por është diktator pseudik. Është pak më mirë i veshur, me një kravatë ndryshe e gjuhën ndryshe, por në thelb e ka atë ideologjinë diktatoriale. Në qoftë se dikush kritikon, është menjëherë kundër. Pas ardhjes tonë në pushtet vitin e kaluar, çdo vizitë e ka urdhëruar që të mos vijë më në Komunë të Preshevës, ka vizituar vetëm Komunën e Bujanocit dhe kaq. Çdo ministër që ka ardhur deri më tani, i ka thënë të mos shkojnë në Komunë të Preshevës”, deklaroi Arifi në KlanKosova.
Ai po ashtu u vlerësoi se Kurti e ka bërë një gabim, siç e cilësoi, shumë të madh kur ka qenë debati rreth bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës më 2018-ën.
“Kur ish-presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, e ka ecën këtë kërkesë në nivel ndërkombëtar, Albin Kurti ka dalë kundër. Jo vetëm kundër me qëndrim, por edhe me një demonstratë kundër kësaj. E ka bërë atë të cilën ne shqiptarët e Luginës së Preshevës e kemi kërkuar qysh prej vitit 1992, pra bashkëngjitjen, e Kurti e ka kundërshtuar.”, tha Arifi, duke shtuar se Kurti nuk ka ndjenja ndaj Luginës së Preshevës dhe se krejt këtë çështje ai e sheh matematikë, i përdorë si matematikë dhe si thesar për vota dhe kaq!