Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj videos propagandistike që publikoi Lëvizja Vetëvendosje, ku, këtë herë, targetoi vetëm LDK-në.
Në videon 3-minutëshe të titulluar “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, VV-ja erdhi në përfundim se LDK nuk ka asnjë plan për zhvillim ekonomik, derisa i targetoi edhe akademikët e partisë duke cilësuar se idetë e tyre nuk u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
Në kundërpërgjigje të kësaj videoje, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se ky veprim mund të merret si reagim i tyre ndaj rritjes së LDK-së, që shumë shpejt mund edhe t’ua marrë pushtetin.
Zemaj tha se LDK-ja është duke u reformuar, me ide konkrete e program kualitativ.
“LDK-ja është duke punuar në organizim të brendshëm dhe reformim. Ata janë në dijeni që shumë shpejtë do të ketë një ndërrim të pushteteve, një ndërrim me më një program kualitativ, me ide konkrete, si ruhet partneriteti”, u shpreh deputeti i LDK-së në RTV Dukagjini.
Tutje, Zemaj shtoi se qytetarët e Kosovës janë të dëshpëruar nga qeverisja aktuale, dhe se opozita po përpiqet t’i ndalë të rinjtë të mos ikin nga Kosova.
“Në kemi obligim që të jemi në kontakt me qytetarët. Ky obligim është rritur edhe më shumë nga dëshpërimi që kanë qytetarët e Kosovës, nuk është punë e opozitës vetëm të kritikojë, por edhe t’i mbajë të rinjtë dhe të rejat këtu dhe të krijojë një qeveri më të mirë që e përmirëson jetën e qytetarëve”, përfundoi ai.