Edhe nëse partitë politike janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme nacionale, qytetarët nuk janë të gatshëm që brenda një viti të mbahen tri palë zgjedhje. Kosova nuk e ka komoditetin buxhetor të mbajë zgjedhje sa herë që një apo disa partive politike, nuk i pëlqen të qenit në opozitë.
Shkruan: Adian Azemi
Janë krijua presedane të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Është bë praktikë që qeveritë të mos e përmbyllin asnjëherë mandatin e plotë, kjo për shkak se pushteti shihet si mjet përmes së cilit përfitojnë individët dhe një grup njerëzish që opinioni i njeh si “ajka” e partisë.
Në asnjë vend opozita nuk angazhohet t’ia zgjas jetën pushtetit. Ajo (opozita) gjithmonë kërkon zbrazëtira për ta rrëzua pushtetin. Mirëpo, në vendet ku ka demokraci, zhvillim e arsim cilësor, moral e vetëdije në politikë, opozita është përgjegjëse gati sa pushteti, si për përparim të vendit, ashtu edhe për ngecje.
Roli i opozitës është ta monitoroj punën e pushtetit, dhe të jetë kritike kundrejt çdo parregullsie a lëshimi që pushteti e bënë. Kritikën duhet ta shoqërojnë alternativat dhe idetë, nëse pushteti se ka mirë, atëherë opozita e ka për obligim të thotë cila rrugë shpie tek interesi qytetarë.
Zgjedhjet janë mundësi e mirë për ta legjitimua pushtetin, mirëpo kur ato bëhen praktikë e keqe dhe krijojnë presedane të rrezikshme, duhet të ndalen. Si të tilla, ato (zgjedhjet) nuk duhet konsideruar si mjet për plotësim dëshirash. Ato bëhen të rëndësishme atëherë kur janë shtjerrë të gjitha mundësitë tjera.
Pra, në Kosovë nuk kemi opozitë, kemi parti që janë në pushtet, dhe parti që me çdo kusht duan të vijnë në pushtet. Dallimi ndërmjet opozitës në vendet e zhvilluara dhe opozitës në Kosovë, është shumë i madh. E vërteta është se në rrethana aktuale, asnjë subjekt politikë nuk është i gatshëm që vendi të shkoj në zgjedhje. Kërkesat për zgjedhje të parakohshme nacionale, vijnë si rezultat i paaftësisë dhe inatit për ti ndihmuar proceset në Kosovë, si dhe këto thirrje i kanë edhe një lloj matësi të besimit të qytetarëve kundrejt partive.
Shumica e subjekteve politike janë ose pritet te hyjnë në një proces të brendshëm zgjedhor. Çdo proces zgjedhor, as nuk është i lehtë e as i kënaqshëm. Në fund të çdo procesi të tillë, dalin dy grupe; të kënaqurit dhe të pakënaqurit.
Prandaj, shkruarja në zgjedhje të parakohshme, është një shuplakë e fortë për partitë. Kosova ndodhet në prag të shumë temave të mëdha, dhe si të tilla, kërkojnë unitet politik të partive shqiptare, në mënyrë që edhe të përmbyllen këto tema, por edhe të ruhet sovraniteti i shtetit dhe integriteti territorial.
As LDK, e as VV, nuk munden me i qu këto tema, madje as nuk duan të jenë në pushtet minimum edhe tre vjet. Janë procese të vështira, të ndjeshme, dhe shumë vështirë të menaxhueshme pa një unitet politik. Kosova ka nevojë për bashkëpunim e bashkëveprim në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, dhe në mekanizma tjerë në vendimmarrje ndërkombëtare, si dhe të ruaj orientimin dhe synimin e saj kah BE dhe kah perëndimi.
Pra, zgjedhjet në këto rrethana çfarë ndodhet dhe do të ndodhet vendi, përveç se nuk janë zgjidhje, ato mund vetëm ta ruajn tharmin e krizave në vend, dhe ta minojnë të ardhmen e vendit.