Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në fjalimin e tij para deputetëve të Kosovës në Kuvend ka thënë se po të mbaheshin zgjedhjet në veri në muajin dhjetor do të përballeshim me dy rreziqe.
Sipas tij, rreziku i parë ishte “dalja e ulët e popullësisë për shkak të frikës së lartë dhe e dyta janë incidentet pas djegies së atyre veturave që u konvertuan me targa RKS”, tha Kurti në Kuvend, transmeton Gazeta Express.
Ai tha së në veri nuk është problemi i mosmbajtjes së zgjedhjeve, por sundimi i ligjit e strukturave ilegale që mbështeten financiarisht e politikisht nga Beogradi.
“Edhe mua më vjen keq që nuk janë mbajtur ende zgjedhjet në veri të Kosovës. Po t’i mbajshim në dhjetor, dy rreziqe i kishim pasur shumë të mëdha. E para dalja e ulët e popullësisë për shkak të frikës së lartë dhe e dyta janë incidentet pas djegies së atyre veturave që u konvertuan me targa RKS. Besoni nga pikëpamja e Qeverisë, po besoj këtë aspekt e ndaj me shumicën dërrmuese të popullësisë, problemi në veri të Kosovës nuk është mosmbajtja e zgjedhjeve, po është sundimi i ligjit, kushtetueshmëria, strukturat ilegale të shndërruara në banda kriminale që mbështeten financiarisht e politikisht nga Beogradi”, u shpreh Kurti.
Ai tha se zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme.
“Ne edhe duhet t’i mbajmë zgjedhjet, por duhet të jenë të lira e të ndershme, dhe sot serbët janë të rrezikuar nga strukturat e Beogradit”, u shpreh ai.