Ka vdekur një 15-vjeçare e nacionaliteti serb, teksa ishte duke skijuar në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.
Lajmin për Tëvë1 e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli, e që i cili ka thënë se pasi është dërguar në spitalin e Mitrovicës, kjo e fundit ka ndërruar jetë.
“Sot, rreth orës 16:00, policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në Qendrën e Skijimit në Brezovicë rreth orës 12:00 ka ndodhur një lëndim trupor gjatë skijimit të një personi e gjinisë femër M.B e nacionalitetit serb, e moshës rreth 15 vjeçare. Pas ndihmës së parë në Shtërpcë me autoambulancë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në spitalin e Mitrovicës. Rreth orës 17:50 policia është njoftuar se nga lëndimet e pësuara e njëjta ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës”, ka njoftuar Veseli.
Derisa ka shtuar se për çdo informatë tjetër rreth kësaj çështje, do të njoftojnë me kohë.