Komuna e Gjilanit, gjegjësisht Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport, zyrtarë nga Ministria e Kulturës, gjegjësisht Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarje Sportive, si dhe Besim Kelmendi, U.d. Kryeprokuror i Shtetit, kanë mbajtur një takim konsultativ me përfaqësues të klubeve gjilanase për gjetjen e mënyrave efikase parandaluese të dhunës në terrene sportive, në funksion të avancimit të mëtejmë në këtë drejtim, krahas standardeve të kërkuara bashkëkohore.
Në cilësinë e organizatorit nikoqir, takimin e hapi nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, e cila e vlerësoi këtë nismë si domosdoshmëri të kohës.
Nënkryetarja Morina-Bunjaku, ka shprehur gadishmërinë e komunës për bashkëpunim në të mirë të sportit, Infrastrukturës, sigurisë e paqes në sport.
Në fjalën e tij Kryeprokurori i Shtetit Besim Kelmendi, vuri në dukje se është kohë e fundit për t’u marrë masa adekuate në funksion të parandalimit të akteve të dhunës në terrene sportive, sikurse edhe domosdoshmëri e mbarëvajtjes së garave, si imperativ i kohës, krahas standardeve bashkëkohore.
Ai tha se abuzimet e manipulimet në ndeshje sportive, aktet e dhunës si dhe të gjitha veprimet joligjore më nuk do të amnistohen apo zvarriten, por do të trajtohen me shpejtësi nga sistemi i drejtësisë.
Në këtë rrafsh ai potencoi si patjetërsueshmëri marrjen e masave nga ana e klubeve që të menaxhojnë situatat e pakëndshme, si dhe domosdonë e ngritjes së nivelit organizativ të ndeshjeve kampionale, vetëdijësimin e tifozerisë për aktet raciste e të ngjashme, të cilat tha se në të ardhmen do të sanksionohen konform me ligjet në fuqi.
Kryeprokurori Kelmendi shfaqi gatishmërinë e tij dhe institucionit që drejton për bashkëpunim permanent me klubet, si dhe organet e rendit dhe institucionet tjera, si një mekanizëm institucional i harmonizuar e koordinuar për mbarëvajtjen sa më të mirë të garave në të gjitha sportet.
Ndërsa Fatmir Kabashi nga MKRS, në cilësinë e përfaqësuesit të MKRS-së në Këshillin Kombëtar për Parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, vuri në dukje se takimet e Këshillit në nivel qëndror janë të natyrës konfidenciale, ndërsa raportet i përcjell ministri, kurse rastet trajtohen veç e veç.
Në takim janë diskutuar çështje tjera si domosdohmëri, përfshirë nevojën e regjistrimit të grupeve të tifozëve, mbarëvajtja e garave, eliminimin e dukurive per rregullimin e epilogjeve të ndeshjeve e rezultateve, gjuatjen e gjësendeve në terrene sportive, shfaqjen e materialeve me mesazhe raciste e propaganduese, hyrjen e paautorizuar të individëve të ndryshëm në terrene sportive, futjen e pijeve alkoolike e substancave psikotrope dhe të ngjashme, etj.
Në takim kontribuan me diskutime edhe përfaqësues të klubeve të cilët ngritën disa shqetësime të bazuara të tyre lidhur me strategjinë e mbarëvajtjes së garave, si dhe “hallkën e ç’akorduar” mes klubeve organizatore dhe organeve të rendit e sigurisë, përfshirë policinë dhe kompanitë e sigurimeve, për të cilat u tha se në të shumtën e herave kanë fare pak njohuri për siguri adekuate, në mungesë të trajnimeve të pjesëtarëve të tyre.
Shqetësime në takim ngritën edhe përfaqësues të klubeve sportive të sporteve marciale e atyre të sporteve të dorës, me ç’rast u potencua se kanë paguajtur shuma të larta për të marrë shërbime të sigurisë, porse sipas tyre, jo rrallë ato shërbime nuk kanë qenë adekuate me nevojat nëpër terrene.
Në fund drejtori i DKRS-së në Gjilan, Kushtrim Zeqiri potencoi se çështjet e diskutuara në takim do të shqyrtohen me kujdes dhe do të trajtohen në mënyrë adekuate nga komuna e Gjilanit, ndërsa vuri në dukje se çështja e infrastrukturës do të jetë imperativ i saj.