Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka pretenduar se ka audio-incizime që dëshmojnë kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, raporton Gazeta Sinjali.
Në konferencën për media, Abazi tha se hulumtimi dhe diskutimi që ka bërë me njerëzit përgjegjës, sipas tij, kanë sjellë deri te shkarkimi brenda VV-së.
“Hulumtimi im, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi dhe anatemomi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor ndaj borxhit që kemi se ka ka ndodhur me rastin Dehari, si është e mundur në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit, dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme”, tha ai.
“As si deputetë nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të tillë, dhe duhet ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë temë. Instituti monitorohet 24 orë nga kamerat dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për Albulena Haxhiun është që të kryejë punën e saj”, shtoi tutje ai.
Po ashtu ai përmendi edhe disa audio-incizime që sipas tij konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Muhalit për siç thotë ai, ngufatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit.
“Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngufatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, tha Abazi
Por pavarësisht insistimit të gazetarëve për t’ua përcjellë audio dhe video-incizimet në fjalë, Abazi tha se ato janë në dispozicion, por u arsyetua duke thënë ‘unë punën tuaj s’mund ta kryej’.