Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) nuk e ka ndërmend të dorëzojë ankesë te Avokati i Popullit sa i përket koeficientit të Ligjit të Pagave. Këtë e ka konfirmuar kryetari, Pleurat Sejdiu.
Sejdiu e konsideron si diskriminues këtë Ligj, por që pret që i njëjti të përmirësohet. Sipas tij, në Ligjin e Pagave, janë dy pika që i konteston OMK-ja, me ç’rast thotë se do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm në organet e tyre.
“Jo ende nuk kemi dorëzuar është e vërtetë që janë dy pika të cilat që jemi duke e shqyrtuar çështjen e diskriminimit pasi që sa i përket koeficientit, besoj se te koeficienti ne nuk mundemi të ndikojmë aq shumë, sepse janë ato të holla çka janë sipas ministrisë dhe nuk kemi se si të kontestojmë, për çështjen e mundësisë së diskriminimit, atë jemi duke e shqyrtuar dhe do të vendosin organet tona në ditët dhe javët në vazhdim”, tha Sejdiu.
Ndonëse e konsideron si rritje të pagave, Sejdiu thotë se i njëjti nuk përkon me realitetin. I kënaqur thotë se janë me rangimin që u janë bërë në këtë Ligj.
“Po shikoni tash nëse e shikojmë rritje numerike do të thotë po është një dyfishim i pagës të mjekut, se sa ajo përkon me realitetin e inflacionit është larg dyfishimit dhe të fuqisë së parasë, kurse në anën tjetër sa i përket rangimit pjesërisht jemi të kënaqur, por ja se kjo është ndoshta një hap i parë të them, më mirë të kemi një ligj dhe mandej të punojmë te një ligj jo të shkëlqyeshëm por konsiderojmë se asnjë ligj nuk i rregullon të gjitha çështjet, nuk i kënaq të gjitha kategoritë, po besoj që është një ligj i cili është më mirë se hiq dhe mund vitin e ardhshëm apo domethënë në vitet në vazhdim të punojmë në të dhe të bëjmë më shumë drejtësi”./EO/