Në vend të urimit për ditëlindje, një përkujtim malli për babin tim
Kushdo që do të rrinte më të kurrë nuk do t’i shkonte ndërmend që ai po hynte në moshën e pensionimit. As me pamjen fizike, as me vullnetin për punë e me gjithë atë elan në kapjen e lajmit, Xhavit Salihu askujt nuk i linte përshtypjen e një njeriu që po shkelte të gjashtëdhjetepestat. Edhe kur shëndeti e kishte tradhtuar dhe kur ne po e shihnim venitjen e tij, Xhavit Salihu kurrë nuk thoshte se po ndihej keq, ai vazhdonte të fliste për muzikën, për gazetarinë e për zhvillimet në vend.
Njerëzit kishin lloj-lloj dëshirash, sidomos ata që jetonin në mërgim. Duke kujtuar kohët kur si të rinj kishin kaluar kohën në vendlindje, të lodhur nga mërgimi e nga puna, në çdo kohë kërkonin që së paku për disa çaste me mendje të riktheheshin në vendlindje e mbështetjen e kishin te Xhavit Salihu, i mishëruar në profesionin e gazetarit, i cili plotësonte çdo dëshirë të tyre, duke emituar këngë që i kishte mbuluar pluhuri i harresës, por jo edhe kujtesa e Xhavit Salihut, një mbledhës dhe kultivues i mijëra kasetave, pllakave të gramafonit, disqeve e shiritave të ndryshëm, të gjitha të rregulluara mirë e me shije në fonotekën e tij personale, por jo vetëm të tijën, ngase ai ato i ndante me dëgjuesit e tij besnikë.
Pikërisht më 11 prill 2018, babi im Xhavit Salihu do të mbushte 65 vite jetë, pensionim që nuk e kishte menduar kurrë, ngase ai ishte me plot ide për zgjerimin e mediumit të tij Radio Star, të cilin e kishte themeluar më 2002.
Babi ndërroi jetë në mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit të kaluar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në profesionin e gazetarit, të cilin e ushtroi me dekada të tëra e me plot profesionalizëm. Gazetarinë e muzikën e kishte dashur më shumë se profesionin e mjekut, andaj ndonëse ishte shumë afër përfundimit të studimeve në mjekësi, ai me tërë qenien iu përkushtua gazetarisë e moderimit, fillimisht nëpër mediume të ndryshme e më pas duke ngritur edhe mediumin e tij, që shpejt u shndërrua në njërën ndër radiot më profesioniste e më të besueshme.
Ai ishte njeri me shije të veçanta për muzikën, andaj për të u bënë emisione të ndryshme, u shkrua nëpër portale e gazeta.
Babai im, Xhavit Salihu nuk e priti moshën e tij të 65 viteve jetë e ai kurrë nuk do t’a priste pensionimin, por vepra e tij mbeti, sikurse që mbeti edhe mediumi që e ngriti ai e të cilin me plot sukses po e udhëheqin pasardhësit e tij, duke e rritur e zhvilluar edhe më shumë, ashtu siç e kishte menduar Xhavit Salihu.
Babi, po ndalem së shkruari, për të kujtuar përgjithmonë në mendjet, zemrat e shpirtrat tanë.
Biri i yt, Arbreshi