Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen në takimin e 18 marsit në Ohër në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këtë e ka konfirmuar edhe Zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.
Në njoftim thuhet se të shtunën më 18 mars, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell do të mbajë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedonia e Veriut. Ndërsa takimi thuhet se do të fokusohet në finalizimin e aneksit për zbatimin e Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borellit.
Takimi në Ohër vjen pas atij në Bruksel, ku dy shtetet tashmë janë pajtuar për nënshkrimin planin franko-gjerman.