Çmimet e barnave ndryshojnë nga barnatorja në barnatore.
Për këtë, qytetarët po hasin në vështirësi për t’i blerë ato marrë parasysh edhe gjendjen e rënduar financiare kohët e fundit.
“Ka 10 cent, 15 cent 20 cent, qe kto janë pak ma shtrenjt e me dalë anej rruge janë ma lirë. Çmimet janë shumë të nalta po çka me bo, s’kem qare pa i ble”, thotë një pacient.
“Po t’shtrenjta janë qysh jo, gjithë marr barna po të shtrenjta janë”, deklaron një paciente tjetër.
Por me Projektligjin e fundit të miratuar nga Qeveria e Kosovës, çmimi i produkteve medicinale pritet që të unifikohet.
E ky vendim është mirëpritur nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës.“Është një ligj i mirëseardhur se ka me garantu që nuk ka me u abuzu me çmimet e barnave edhe shërbimi shëndetësor përkatësisht barnat esenciale do të shihen si shërbim shëndetësor e jo biznes. Por nuk mund të mjaftohemi me kaq. Esenca është që ne ta plotësojmë listën e barnave esenciale në mënyrë që të bëjmë moton e atyre që kanë thënë ‘’çmime unike dhe të përballueshme’’. Çmimet nuk bëhen të përballueshme me caktim të çmimit”, bën të ditur Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve.
E sipas Odës së Farmacistëve të Kosovës, ky projektligj gjithashtu do të minimizojë tregun e zi.
“Sot kërkesa e parë që e bën pacienti në barnatore është të pyesë ‘’sa kushton’’, ky projektligj e heq këtë pyetje. Pacienti duhet të pyesë lidhur me përdorimin e barit dhe jo sa kushton.
Gjithashtu do të mundësojë të minimizohet tregu i zi i barnave sepse çmimet e larta në Kosovë ose shumëfish më të larta kanë bërë që të ketë kontrabandë nga shtetet e rajonit dhe kjo ka krijuar një konkurrencë jo të drejtë për ata të cilët kanë dashur të ushtrojnë profesionin në mënyrë adekuate”, theksoi Arjanit Jakupi nga Oda e Farmacistëve.Sipas tij, dimensioni që e sjell ky ligj është i shumëfishtë për përfitimin që do ta kenë farmacistët dhe pacientët më së shumti në ruajtjen e shëndetit publik.
Ndërkaq, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet që ta trajtojë e miratojë sa më parë që është e mundshme./teve1