Një gjinekologe e Spitalit të Gjilanit mori pushim mjekësor nga puna e shtetit, por u kap duke punuar në sektorin privat. E njëjta është proceduar në Komisionin Disiplinor.
Një ekip i Inspektoratit Shëndetësor shkoi në Spitalin e Gjilanit më datën 7 shkurt të këtij viti për të kryer një inspektim në lidhje me dy mjeke gjinekologe të cilat, njëra kishte marr pushim mjekësor me rekomandim të tre mjekëve të QKUK-së e tjetra ishte liruar nga kujdestaritë me rekomandim të Institutit të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, shkruan Gazeta Shneta.
Gjinekologia që mori pushim mjekësor, Vjosa Kosumi, në fakt kishte punuar në një institucion privat. Këto ishin gjetjet e Inspektoratit gjatë një inspektimi dy ditë më vonë. ISH inspektoi ordinancën “Medicina” në Gjilan ku u verifikua se Kosumi kishte ofruar shërbime ndonëse zyrtarisht ishte në pushim mjekësor në Spitalin e Gjilanit.
Për këtë arsye ISH i kërkoi menaxhmentit të Spitalit të Gjilanit që të marr masa ndaj mjekes.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini. Ai ka thënë se mjekja tashmë është proceduar në Komisionin Disiplinor.
“Pas këtij inspektimi, me datë 08.03.2023 kemi marrë shkresë dhe raport nga ana e ISH të MSH mbi rezultatet e inspektimit të tyre në institucionin tonë dhe në institucione private shëndetësore nga e cila rezulton se mjekja gjinekologe, V.K ka pasur të evidentuar pacientë në ordinancën e saj private të cilët kanë marrë shërbime aty në kohen sa mjekja në fjalë ka qenë në pushim mjekësor në bazë të një raporti konziliar të tre mjekëve psikiatër nga Prishtina”.
“Inspektorati Shëndetësor në fund të shkresës kërkon nga ne si institucion që në afat prej shtatë ditësh të informojmë mbi masat disiplinore të inicuara. Në lidhje me pyetjen e juaj, mund të ju sqarojmë që nga e dt. 10.03.2023, rastin e kemi proceduar në komision disiplinor dhe rasti është në procedurë e sipër”, thuhet në përgjigjen e Eminit.
Ai thotë se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me organet mbikëqyrëse që të trajtohen të gjitha rastet e dyshimta për keqpërdorim apo mashtrim me pushimet mjekësore.
Gazeta ka kontaktuar edhe me gjinekologen Kosumi por e njëjta nuk ka pranuar t’i përgjigjet Gazetës për këtë çështje. Ajo fillimisht e ka hapur telefonin dhe posa është njoftuar nga gazetari për çështjen në fjalë, mjekja ka kërkuar që të kontaktohet 10 minuta më vonë me arsyetimin se është në kujdestari në spital. Por gjinekologia më vonë nuk është përgjigjur në thirrjet dhe mesazhet e Gazetës.
*Pas publikimit të këtij artikulli gjinekologia e ka dhënë këtë sqarim.
“Unë jam kanë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së mbingarkuar me pacientë dhe lodhjes. Mjekët kur më kanë pa menjëherë më kanë thënë me marr pushim. Pacientët që i kanë marr ata i kanë marr gabimisht sepse janë pacientë të burrit tim me të cilin punojnë bashkë. Janë vetëm dy pacientë të mi që i kanë bë terminet më herët. Dy javë tjera unë jam kanë pushim asnjë rast nuk e kam kontrollue. Asnjë ditë të vetme ma nuk kam kontrollu pacientë. Vetëm ato dy raste që më kanë lutë sepse i kanë bo terminet më herët. Kurse dy-tri raste tjera që i kanë qit janë raste kirurgjike që janë kontrollu nga burri im”, ka deklaruar gjinekologia Kosumi.
Në anën tjetër Inspektorati Shëndetësor nuk ka kthyer pëgjigje nëse ka vendosur ndonjë gjobë për këtë rast. /Gazeta Shneta/
* Ky artikull është plotësuar me sqarimin e Dr. Vjosa Kosumi.