Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka folur gjatë ditës së djeshme për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.
Hovenier ka thënë se marrëveshja e cila është temë diskutimi në këtë takim, është e përkohshme, por që sipas tij, ajo i hap rrugë një marrëveshjeje të plotë, për të cilën thotë se është afër.
“Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, ky është një moment tejet i rëndësishëm lidhur me përpjekjet tona të vazhdueshme për të shtyrë përpara integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe të ketë vendin e saj si shtet i pavarur dhe sovran i Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje e përkohshme në të cilën po punohet dhe zbatimi i së cilës do të negociohet në Ohër këtë fundjavë, ne e konsiderojmë këtë të jetë një hap shumë të rëndësishëm para, dhe mendojmë se një marrëveshje e plotë është afër”, ka thënë Hovenier në ATV.
Tutje ai ka thënë se 11 pikat nuk do të negociohen dhe se i vetmi negocim do të jetë për aneksin.
“Ne besojmë se kjo marrëveshje dhe 11 pikat për cilat është dakorduar, aneksi i zbatimit për të cilin po negociohet sjell përfitime të vërteta, praktike, politike dhe ekonomike. Andaj dua të jem i qartë, se 11 pikat nuk do të negociohen. Kjo marrëveshje për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u përmbyll në Bruksel dhe të dy negociatorët e pranuan faktin, ashtu siç tha BE-ja, se nuk ka më nevojë që të negociohet ky tekst. Ajo për të cilën po negociohet është një aneks që do të flasë për çështjen kritike se si të zbatohen këto parime dhe si të bëhet kjo në mënyrë efikase dhe ky është fokusi ynë kryesor: një zbatim i suksesshëm dhe efikas”, shtoi ai.
Ambasadori tha se SHBA-ja vlerëson se një marrëveshje më e mirë për momentin nuk ekziston sepse kjo aktuale “avancon stabilitetin rajonal, ripozicionon marrëdhëniet Kosovë – Serbi drejt një status quo-je më të mirë”.
Po ashtu, e quajti të përkohshme sepse tha se synimi i SHBA-ve është një marrëveshje finale, e cila është e përqendruar në njohje të ndërsjellë.
“Duhet të jem i qartë, SHBA-ja nuk vlerëson se ekziston një marrëveshje më e mirë për momentin. Ky është një hap i rëndësishëm para. Është një mundësi e jashtëzakonshme, avancon stabilitetin rajonal, ripozicionon marrëdhëniet Kosovë – Serbi drejt një status quo-je më të mire. Është marrëveshje e përkohshme dhe SHBA-ja fuqishëm i qëndron prapa dhe me opozitën për vite të tëra kemi ruajtur qëndrimin se kemi synimin e një marrëveshje finale përfundimtare dhe e cila është e përqendruar në njohje të ndërsjellë, ky është synimi dhe kjo marrëveshje na afron edhe më shumë drejt saj dhe e ripozicionon në një mënyrë shumë më të qëndrueshme”, ka thënë Hovenier.
Kujtojmë se takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet të shtunën, më 18 mars, në Ohër.
Sipas njoftimit të zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do të takojë ndaras palët.
Takimet e para do të zhvillohen duke filluar nga ora 10:00.
“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
/GazetaSinjali/