Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se pas inspektimeve në terren, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave.
10 vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, institucionet janë aktivizuar për ta zbatuar atë.
Pas një iniciative të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Ushqim dhe Veterinarisë, nga kjo e enjte, inspektorët e këtij institucioni kanë nisur punën në terren.
Këtë të premte, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë “e jo që të mbeten në letër!”.
“Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave; gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo, zbatimi i ligjit nuk ka alternativë”, ka shkruar ministri Peci.
Ministri i Bujqësisë ka bërë thirrje te qytetarët si palë bashkëpunuese, duke thënë se “le ta zbatojmë ligjin me qëllim që ta shndërrojmë Republikën tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës”.
“Ftojmë qytetarët që kudo që evidentojnë raste të moszbatimit të Ligjit për Duhanin, t’i raportojnë në numrin 080050095 që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e ka në dispozicion”, ka shtuar ministri i Bujqësisë, Faton Peci.