Në tekstet shkollore vazhdimisht ka pasur gabime, qofshin ato teknike, apo përmbajtësore. Kjo situatë po e vështirëson procesin mësimor për stafin e arsimit, ku të njëjtit edhe kanë paraqitur ankesa në disa shtëpi botuese. Sipas tyre është i domosdoshëm procesi i rishikimit të këtyre teksteve nën udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit, i cili pritet të filloi në muajin prill.
Librat shkollorë, parashihet të bartin informata të sakta te nxënësit.
Mirëpo, ndër vite ato kanë qenë të shoqëruara me gabime të shumta, duke filluar nga ato drejtshkrimore e deri tek ato përmbajtësore.
Por ky nuk është i vetmi problem me të cilin stafi arsimor përballet.
Mësimdhënësja, Naxhije Fejzullahu, në shkollën fillore të mesme të ulët “Emin Duraku” tregon edhe disa ngecje në përpilimin e teksteve shkollore.
Për të cilat edhe kanë dorëzuar ankesë.
“Pjesa e cila ka qenë më shqetësuese se gabimet teknike apo përmbajtjesore, ka qenë edhe tekstet që nganjëherë kanë tingëlluar edhe bullizuese për nxënësit dhe nuk kanë qenë edukative. Kjo ka qenë pjesa për të cilën edhe kemi parashtruar edhe ankesë drejtuar botuesve të librave që edhe ata të kenë një pjesë ku të referohen se cila pjesë duhet të ndryshohet”, ka thënë mësuesja Fejzullahur
E drejtori i kësaj shkolle, Visar Osmani tregon edhe një shqetësim që kanë pasur në përzgjedhjen e teksteve shkollore.
“Shqetësimin e parë e kemi pas te përzgjedhja, sepse ka ndodh një klasë është orientuar në një shtëpi botuese, një n’klasë në një shtëpi tjetër. Dmth një aktiv s’kanë punu me një literaturë të ngjashme ku dihet mandej edhe planet kanë ndryshu”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, në fillim të muajit prill pritet të fillojë rishikimin e teksteve shkollore.
E ky si proces po mirëpritet nga drejtori i Institutit Ed Guard, Rinor Qehaja.
Neve kemi pasur rishikime të një teksti pa metodologji të përcaktuar apo unike. Mirëpo në këtë rast, kurdo që të ndodh do të kemi një metodologji të mirëpërcaktuar, një mostër të rastësishme të teksteve shkollore të shpërndara nëpër shkallë në nivele kurrikulare dhe kjo me shpresën që të jetë representative mjaftueshëm dhe të na sjellë një pasqyrë ku është cilësia e teksteve shkollore”, ka thënë Qehaja.
Sipas Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore, të njëjtat i hartojnë specialistët e lëndëve mësimore sipas konkursit të shpallur nga MASHT-i dhe porosisë së shtëpisë botuese./teve1/